BloguBurime LigjoreBurime për Start UpNdërrmarrësi & Tregti5 Gjëra që Mësuam Rreth Markave Tregtare nga Çështja “House of Zana” v. “Zara”

August 9, 20221
http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2022/08/5-Gjera-qe-Mesuam-nga-Ceshtja-‘House-of-Zana-v.-Zara.png
Prelud

 

Në prill të vitit 2022, ekipi ligjor i korporatës “Zara” ju drejtua themelueses së “House of Zana” (lexo në shqip: Shtëpia e Zanës) me një kërkesë për ri-brandim, që rrjedhimisht do të sillte një ndryshim të markës dhe dalje nga tregu përHouse of Zana”. 

Fill pas kësaj kërkese, e po në prill të këtij viti, Amber Kotrri – themeluese e “House of Zana” – ju drejtua audiencës së saj me një peticion, me anë të së cilit kërkonte mbështetje morale dhe informacion për mënyrën se si konsumatorët e shikonin ngjashmërinë midis këtyre dy markave. 

Peticioni mblodhi më shumë se 90.000 firma, ndërsa beteja ligjore e firmave mori një vëmendje mediatike akoma më të madhe, për t’u finalizuar me një vendim gjykate – që vendosi përfundimisht se nuk ka ngjashmëri midis markave “House of Zana” dhe “Zara”. 

Si themelues të një startup-i, e dimë fort mirë sa sfiduese është të krijosh një identitet të besueshëm në treg. Ndërkohë që krijon besim me produktet/shërbimet që ofron, të duhet të jesh edhe i paharrueshëm, i pangatërrueshëm dhe konsistent – deri sa, në momentin që vendos të regjistrosh ligjërisht markën tregtare të vjen një njoftim zyrtar “Konsidero ri-brandimin!”. 

Prandaj, ky artikull është një dedikim për fitoren e Amber Kotrri-t, sukseseve që e presin sipërmarrjen e saj dhe 5 gjërave që ne ju rikthyem nga çështjaHouse of Zana v. Zara”.

1. Regjistrimi i markës tregtare është në funksion të konsumatorit

 

Regjistrimi i markës tregtare, ndryshe nga regjistrimi i kategorive të tjera të pronësisë intelektuale, ka në fokus mbrojtjen e konsumatorit, duke qenë se funksioni kryesor i markës është të identifikojë ofruesin e produktit/shërbimit.

Për shembull: Regjistrimi i të drejtës së autorit, ka në fokus mbrojtjen e pronësisë intelektuale të krijuesit të një vepre. Ndërsa, regjistrimi i markës tregtare – shërben për të orientuar konsumatorin, duke i dhënë informacion për cilësinë e produktit/shërbimit që po zgjedh.

Kërkesa e “Zara”-s përkundrejt “House of Zana” u bë në momentin që Amber Kotrri tentoi të bënte regjistrimin e “House of Zana” si markë tregtare. Deri në këtë moment, “House of Zana” nuk është ende ligjërisht një markë tregtare. 

2. Marka tregtare duhet regjistruar

 

E drejta e autorit është e vetmja e drejtë – pjesë e pronësisë intelektuale – që nuk ka nevojë të regjistrohet për të ekzistuar. Për shembull, nëse ti vendos të shkruash një libër, nuk ke nevojë që ta regjistrosh të drejtën e autorit mbi librin, pasi ligjërisht do të konsiderohesh autori i librit që prej krijimit të veprës. 

E kundërta ndodh me markën tregtare, e cila duhet regjistruar në mënyrë që të gëzojë mbrojtje ligjore. Për shembull, ti mund të kesh themeluar një startup, i ke krijuar një logo dhe je tërësisht i fokusuar në përmirësimin e produkteve që ofron në treg. 

Në të njëjtën kohë, një tjetër sipërmarrje – me të njëjtin model biznesi, e që ofron produkte të njëjta me ty – inspirohet nga emri dhe grafika e logos tënde, për të krijuar të sajën. Në rast se kjo sipërmarrje e regjistron markën tregtare para teje, pavarësisht se ti mund të kesh më shumë kohë në treg, ty mund të të refuzohet kërkesa për regjistrimin e markës tregtare, e rrjedhimisht do të detyrohesh t’i hysh një procesi jo fort të dëshirueshëm, siç është ribrandimi. 

Zara është një markë tregtare e regjistruar në disa shtete. Rrjedhimisht, në momentin që vëren se një kompani tjetër mund t’i bëjë konkurrencë – i drejtohet me kërkesë për ribrandim, bazuar në arsyen “Marka që pretendon të regjistrosh shkakton konfuzion tek konsumatori.”

3. Marka tregtare duhet të ketë karakter dallues

 

Marka tregtare është një shenjë që shërben për identifikimin e produkteve/shërbimeve të një sipërmarrjeje,  nga produktet/shërbiemet e një sipërmarrjeje tjetër. 

Ashtu sikurse e përmendëm edhe më sipër, roli kryesor i markës tregtare është orientimi i konsumatorit. Prandaj, legjislacionet e të gjitha vendeve kanë si emërues të përbashkët refuzimin e regjistrimit për ato marka tregtare që mund të shkaktojnë konfuzion tek konsumatori. 

Pretendimi i “Zara”-s ishte ky: “Emri “House of Zana” është konceptualisht identik me emrin “Zara”, rrjedhimisht konsumatori mesatar mund të ngatërrohet dhe të drejtohet për të blerë te “House of Zana” në vend të “Zara”. Për më tepër, fonti i shkrimit dhe shqiptimi i “House of Zana”  është i ngjashëm me fjalën “Zara”.” 

Ky pretendim u hodh poshtë prej themelueses së “House of Zana” sipas këtij arsyetimi:

  1. Emri “House of Zana” nuk ka asnjë ngjashmëri me emrin “Zara”, pasi edhe frymëzimi për emërtimin e sipërmarrjes vjen nga fjala shqipe “zanë” si krijesë mitologjike, e pjesë e folklorit.
  2. “House of Zana” dhe “Zara” kanë modele të ndryshme biznesi. “Zara” është një korporatë me dyqane zinxhir në disa vende të botës, që prodhon dhe tregton veshje për grupmosha të ndryshme. “House of Zana” nga ana tjetër është një biznes i vogël familjar, i orientuar drejt ekonomisë së qëndrueshme, që krijon kimono të punuara me dorë, rrjedhimisht oferta e tyre në treg është më e vogël.
  3. Fontet janë të ndryshëm vizualisht dhe fonetikisht.

Pretendimet e mësipërme të Amber Kottri-t u pranuan nga gjykata që shqyrtoi kërkesën e “Zara”-s për ndalimin e regjistrimit të “House of Zara”. Tanimë, “House of Zana” do të jetë një markë tregtare e regjsitruar! 

4. Mbrojtja e markës ka karakter territorial

 

Marka tregtare gëzon mbrojtje ligjore në atë shtet ku regjistrohet. Megjithatë, në rast se një sipërmarrës dëshiron të zgjerojë biznesin e tij në tregun ndërkombëtar, ai mund të bëjë kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare të markës, sigurisht përkundrejt një tarife shtesë.

5. Marka dhe marka tregtare nuk janë e njëjta gjë

 

Marka është imazhi dhe reputacioni që një sipërmarrje krijon në sytë e konsumatorit, ndërsa marka tregtare është mbrojtja ligjore që i bëhet markës, duke e regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI).

Për të krijuar një markë të duhet një produkt inovativ dhe i nevojshëm për konsumatorin, një skuadër e mirë marketingu dhe shitjeje, durim për të qënë konsistent në vlerat që ofron në treg dhe aplikim për regjistrimin e markës, pasi në të kundërt – nëse ke investuar shumë kohë dhe mund me ndërtimin e një reputacioni në treg, por pa e mbrojtur ligjërisht markën, dikush tjetër mund ta regjistrojë në emrin tënd. 

Prandaj, nëse synimi yt është që të krijosh një markë që konsumatorët e duan, dhe jo thjesht një produkt me të cilin mund t’i përmbushin kërkesat vetëm një herë, nise rrugëtimin e sipërmarrjes me regjistrimin e markës tregtare.

 

Bonus

 

Nëse vendos ta marrësh seriozisht regjistrimin e markës tregtare, do të të duhet një specialist i pronësisë intelektuale. 

Te Legit mund të kontaktosh një përfaqësues të autorizuar për regjistrimin e markave tregtare nga rrjeti ynë i profesionistëve. Mjafton të regjistrohesh në Platformën Legit si “Përdorues” dhe të krijosh një çështje sipas nevojave të tua ligjore. 

P.s: Nëse je një sipërmarrës i ri, ky udhëzues mund të të shërbejë si busull orientuese në këtë rrugëtim sfidues.

Suksese! 

 

One comment

  • sea angel luxury phuket

    December 10, 2022 at 3:46 PM

    Hi there, I enjoy reading through your post.
    I like to write a little comment to support you.

    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020