Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale festohet çdo 26 prill për të kujtuar rolin e pronësisë intelektuale në nxitjen e inovacionit dhe kreativitetit.
Këtë vit, Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale 2022 ka në fokus inovacionin dhe të rinjtë, si premisa për një të ardhme më të mirë.
Konteksti historik
Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), një agjenci e specializuar dhe vetëfinancuar e Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për zhvillimin e një sistemi të balancuar dhe gjithëpërfshirës të pronësisë intelektuale, caktoi datën 26 prill si Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale në vitin 2000.
Kjo datë shënon përvjetorin e hyrjes në fuqi të Konventës së Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale në vitin 1970. Konventa synon (ende) të minimizojë hendekun midis pronësisë intelektuale si koncept – në biznes dhe ligj – dhe rëndësisë faktike që ka mbrojtja e saj.
Rëndësia e kësaj dite
Rëndësinë e kësaj dite mund ta kuptosh më mirë nëpërmjet postimeve tona në Blog.
- Pronësia intelektuale (PI) e konsideruar si e drejtë themelore e njeriut, gëzon mbrojtje nga më shumë se 25 traktate ndërkombëtare.
- Pronësia Intelektuale është një term ombrellë për disa të drejta: të drejtat e autorit, të drejtat e lidhura me të drejtën e autorit, patentat, markat tregtare, dizajnin industrial, treguesit gjeografik, sekretet tregtare, modelet e përdorimit, emërtimet e origjinës.
- Disa të drejta kanë nevojë për formalitete për t’u mbrojtur. Një përfaqësues i autorizuar mund t’ju ndihmojë për këtë gjë.
- Mbajtësit e të drejtave të autorit gëzojnë mbrojtjen e punës së tyre pa formalitete.
- Të drejtat ekonomike mbi një vepër i takojnë autorit 70 vjet pas vdekjes së tij, ndërsa të drejtat morale u kalojnë trashëgimtarëve të tij.
- Të drejtat e lidhura me të drejtën e autorit i dhanë Taylor Swift mundësinë për të mbrojtur prodhimet e saj muzikore.
- Marka tregtare është po aq e rëndësishme (për biznesin tuaj) sa mallrat që prodhoni ose shërbimet që ofroni. Arsyen e kuptoni në këtë artikull!
- Ligjet e të drejtës së autorit i ndihmojnë autorët të mbajnë gjallë personazhet e tyre.
- Birra jote e preferuar mbrohet nga ligjet e pronësisë intelektuale.
Për ta përmbyllur
Themeluesit e startup-eve nuk duhet ta anashkalojnë mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Marka dhe produkti i tyre mund të kenë rritje eksponenciale nëpërmjet saj.
Sipas Dr. Endri Dibra, CEO i Arbrea Labs, një startup i industrisë së AI (Inteligjencës Artificiale) dhe AR (Realitetit të Augmentuar), mbrojtja e pronësisë intelektuale ishte e rëndësishme në suksesin e tyre.
“Regjistrimi i patentave për shpikjet shkencore, dhe i të gjithë elementëve të tjerë të pronësisë intelektuale ka pasur rendësi të veçantë dhe na ka ndihmuar të krijojmë më tepër besueshmëri te investitorët dhe partnerët me të cilët ne bashkëpunojmë. Gjithashtu, patentimi ka qenë një nga proceset që na ka diferencuar nga konkurrentët në treg.”
– Dr. Endri Dibra, CEO i Arbrea Labs
Keni nevojë për informacion shtesë?
Shkarkoni falas guidën tonë elektronike “Gati për Startup” për të thelluar njohuritë tuaja mbi Pronësinë Intelektuale dhe rënëdsisë së saj!