BlogBloguBurime LigjoreContracts & TransactionsKontratat & TransaksionetLegal Resources9 Kushtet Thelbësore të Kontratës së Qirasë

November 3, 20220
http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2022/11/9-Kushtet-Thelbesore-te-Kontrates-se-Qirase.png
Çfarë është një kontratë qiraje?

 

Një kontratë qiraje është një marrëveshje midis qiradhënësit – personi që mundëson dhënien me qira të një prone, dhe qiramarrësit – personi që merr me qira pronën kundrejt një pagese. Sipas Kodit Civil, kontratat e qirasë mundësojnë:

  • Marrja me qira e sendeve të pronave të paluajtshme me natyrë bujqësore
  • Marrja me qira e sendeve prodhuese
  • Qiraja financiare (leasing)

Ndryshe nga kontratat financiare (leasing), të cilat janë zakonisht për periudha më të gjata kohore, kontratat e qirasë janë zakonisht për periudha më të shkurtra kohore. Sidoqoftë, duhet të përfshini disa dispozita në kontratën tuaj të qirasë pavarësisht nga lloji i marrëveshjes në të cilën po hyni.

Nëse jeni një pronar që kërkon të japë me qira një pronë, do t’ju duhet të nënshkruani një kontratë qiraje. 

Pse?!

Sepse kontratat e qirasë që zgjasin më shumë se një vit, sipas ligjit duhet jenë të shkruara. Kontratat e qirasë që zgjasin më shumë se nëntë vjet duhet të shkruhen dhe të regjistrohen në regjistrin e Zyrës së Pronave të Paluajtshme

Kontratat e qirasë janë të rëndësishme për t’u nënshkruar sepse nëse ju dhe qiramarrësi juaj i ardhshëm keni një mosmarrëveshje, do të jetë më e lehtë ta trajtoni atë në gjykatë nëse keni një marrëveshje me shkrim.

Cilat elemente duhet të përfshijë një kontratë qiraje?
1. Objekti i kontratës, identiteti i palëve dhe prona që jepet me qira

 

Duhet te përfshini gjeneralitetet, numrin e identifikimit tuaj dhe të qiramarrësve që do të jetojnë në pronë. Me rëndësi të veçantë është dhënia e adresës së pronës, si dhe një përshkrim i hollësishëm i saj, si përshembull: sa kate ka, sa metra katrorë mbulon, etj.

2. Kohëzgjatja e kontratës

 

Kohëzgjatja e kontratës mund të vendoset me vullnetin e palëve ose me ligj. Legjislacioni përcakton kohëzgjatjen maksimale të një marrëveshjeje qiraje, e cila përcaktohet nga lloji i pronës dhe destinacioni i saj ekonomik. Kohëzgjatja maksimale kohore e përcaktuar me legjislacion është 30 (tridhjetë) vjet. Një pronë e dhënë me qira si shtëpi/apartament mund të merret me qira deri në 5 (pesë) vjet.

 

3. Tarifat e qirasë dhe vonesat

 

Shuma e qirasë, si dhe çdo tarifë e vonuar, duhet të specifikohet në kontratë. Sipas Kodit Civil, nëse një qiramarrës nuk arrin të kthejë pronën pasi përfundon kontrata e qirasë, ai duhet të paguajë për kohën e që e ka mbajtur pronën në posedim pas këtij afati, si dhe çdo dëm të shkaktuar.

 

4. Vendin ku dhe mënyren si do paguhet qiraja

 

Vendndodhja në të cilën paguhet qiraja varet nëse qiraja paguhet në natyrë ose në para. Për shembull, për banesat ose shtëpitë, qiraja paguhet në para. Në raste të tilla, qiraja paguhet në shtëpinë e pronarit në kohën e caktuar. Sa i përket mënyrës së pagesës, qiraja paguhet periodikisht ose tërësisht. Kjo varet nga marrëveshja mes jush dhe qiramarrësit.

 

5. Lista e sendeve të pronës

 

Duke marrë parasysh që qiramarrësi është i detyruar të dorëzojë pronën në të njëjtën gjendje dhe përshkrim siç përcaktohet në kontratën e qirasë, është e rëndësishme të përfshini çdo send qe ndodhet në pronën tuaj. Nëse shtëpia ka mobilje dhe pajisje, duhet të bëni një listë të të gjithë sendeve, duke nisur nga më të mëdhenjtë si për shembull pjatalarëset, e deri tek sendet e vogla si pirunët.

 

6. Emrat e banorëve

 

Ju duhet të përfshini emrat e secilit banor që qëndron në pronën tuaj ose që do të përdorë pronën. Nëse, për shembull, prona është një apartament shumë i vogël, jini sa më specifik nëse dëshironi që një numër i caktuar njerëzish të qëndrojnë aty. .Gjithashtu, e rëndësishme është të përfshini faktin nëse jeni dakord që qiramarrësi të japë me te nënqira pronën apo jo.

 

7. Rregullat në lidhje me mirëmbajtjen dhe riparimet

 

Ju duhet të përfshini të drejtat dhe detyrimet e qiramarrësit në lidhje me të metat e pronës dhe riparimet e tyre. Sipas Kodit Civil, ju jeni të detyruar të paguani për çdo riparim urgjent dhe të madh të pronës, ndërsa qiramarrësi është përgjegjës për riparimet e mirëmbajtjes së përditshme. 

Ju gjithashtu duhet të lejoni qiramarrësin të bëjë ndonjë riparim urgjent, dhe ai është i detyruar t’ju njoftojë për çdo të metë që kërkon vëmendje të menjëhershme. Ju gjithashtu duhet të kompensoni qiramarrësin për riparimet e nevojshme të pronës. Ose, në rast se qiramarrësi ju ka njoftuar për riparimet urgjente dhe nuk keni arritur t’i rregulloni ato në një kohë të arsyeshme, qiramarrësi ka të drejtë të kërkojë një ulje të tarifës së qirasë.

Qiramarrësi ka të drejtë të kërkojë përfundimin e kontratës ose uljen e tarifës së qirasë nëse gjatë periudhës së dorëzimit të pronës, ka të meta ose dëmtime që zhvlerësojnë pronën (vetëm nëse ai nuk ishte në dijeni për to). 

Qiramarrësi duhet të informohet për të drejtat dhe detyrat e tij në mënyrë që të përmbushi më mirë detyrimet kontraktuale dhe të shmangi mosmarrëveshjet e ardhshme.

 

8. Rregullat për Dëmtimin e Pronës 

 

Ju duhet të specifikoni nëse qiramarrësi mund të ndërtojë pjesë shtesë (ndërtim) në pronë. Nëse pjesët e shtuara nuk mund të hiqen pas përfundimit të kontratës së qirasë pa dëmtuar pronën, dhe nëse ato i shtojnë vlerë pronës, ju duhet të kompensoni qiramarrësin për koston e ndërtimit dhe vlerën e shtuar në përputhje me ligjin. 

Ju duhet të paralajmëroni qiramarrësin për çdo dëm serioz që ai mund të shkaktojë në pronë, përveç vjetërsimit të pronës të shkaktuar nga përdorimi i saj, dhe çdo ndëshkim që qiramarrësi mund të përballet në rast dëmi.

 

9. Nënshkrimet

 

Ju dhe qiramarrësi duhet të nënshkruani kontratën në fund, në mënyrë që ajo të jetë ligjërisht e provueshme. Marrëveshja reciproke e palëve është vendimtare për vlefshmërinë e kësaj kontrate.

 

Bonus: Shkruhet “kontratë qiraje“, jo “kontratë qeraje“. 🙂 

Lexohemi në postimin e rradhës!

Kontraktim të mbarë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020