A do të dukemi njësoj në sytë tuaj nëse themi se një prej nesh nuk e ka lexuar sagën e Harry Potter-it?!
Ok, përpara se të na shikoni me paragjykim, një prej fansave më të mëdhenj të sagës u vetëofrua të bënte një përmbledhje të shtatë librave në mënyrë që të shpëtonte reputacionin e dikujt që e mban veten si lexuese të rregullt.
Më pas, në bisedë e sipër, slytherin-i u ftillua të pyeste:
“Po mirë, a do t’i kem të drejtat e autorit nëse përmbledh veprën e Harry Potter?”
Këtu u bëmë serioz dhe mbyllëm Whatsapp-in për t’ju kthyer ligjit.
Çfarë parashikon ligji për përmbledhjet?
Ligji shqiptar nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” parashikon se të drejtat e autorit mbi një përmbledhje i përkasin autorit të saj, pra shkrimtarit të përmbledhjes.
Çfarë konsiderohet përmbledhje?
- Përmbledhjet e veprave
- Përmbledhjet e kontributeve
- Përmbledhjet e materialeve
- Përmbledhjet e veprave shkencore
- Përmbledhjet e veprave artistike
- Enciklopeditë
- Antologjitë
- Fjalorët
- Përpilime materialesh
- Përpilime të të dhënave të ndryshme
- Përmbledhjet e gazetave
- Përmbledhjet e revistave
- Përmbledhjet e recensioneve
Në çdo rast, përmbledhja duhet të jetë krijim intelektual i autorit, e sjellë në një formë ndryshe nga veprat origjinale, për nga mënyra si bëhet përzgjedhja ose përshtatja e përmbledhjes.
Mbrojtja ligjore mbi përmbledhjet, pra të drejtat e autorit mbi përmbledhje, nuk shtrihet mbi veprat origjinale dhe në asnjë moment nuk duhet të cënojnë të drejtat ekzistuese të autorit/autorëve fillestarë.
Krijuesi i përmbledhjeve gëzon të drejtën e vendosjes së emrit ose titullit mbi veprën e përmbledhur, si dhe ka të drejtë të kërkojë përmendjen në çdo përdorim publik të këtyre përmbledhjeve, dhe të gëzojë të drejtat ekonomike që vijnë nga publikimi i veprës.
Pra mund t’i ketë kolegu ynë të drejtat e autorit mbi përmbledhjen e Harry Potter?
Po nëse krijon një përmbledhje pa cituar drejtpërdrejt librat, pa kopjuar pjesë të narracionit apo personazhet, e duke sjellë përmbledhjen në një formë tërësisht të re dhe ndryshe nga stili i të shkruarit të J.K. Rowling, po, mund ta bëjë!
Ama, do t’i duhet tmerrësisht shumë imagjinatë, kështu që i urojmë fat!
Për të tjerët që nuk duan t’i hyjnë detit thellë, ja çfarë duhet të keni parasysh nëse doni të përmblidhni një vepër:
- Krijimi juaj duhet të jetë tërësisht origjinal
- Nuk duhet të kopjoni fjali apo paragrafe të veprës origjinale (fillestare)
- Trajtimi duhet të bëhet ‘me fjalët tuaja’
- Lexuesi duhet të jetë në gjendje ta bëjë dallimin midis veprave
- Kontaktoni një autorizues të licensuar të pronësisë intelektuale!
Pronësia Intelektuale është një prej fushave më interesante të së drejtës, prandaj udhëzuesi ynë i rradhës do të jetë një material i dedikuar ndaj të gjithë kategorive së të drejtave të kësaj fushe.
Na ndiq për t’u njoftuar rreth datës së publikimit të tij!
Këtu mund të shkarkosh falas udhëzuesit e tjerë elektronik.