Franca e Honore de Balzac, Alexandre Dumas dhe Viktor Hygo-s është shteti ku u themeluan agjencitë e para të administrimit kolektiv të të drejtave të autorit. Këto agjenci lindën si nevojë e shkirmtarëve për t’u bashkuar në një mision të vetëm: mbrojtjen e interesave më të lartë ekonomik e moral të artit të tyre.
Në Shqipëri, veprimtaria e Agjencive të Administrimit Kolektiv (AAK) rregullohet nga ligji “Për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Tjera të Lidhura me To” dhe aktet nënligjore përkatëse.
Aktualisht, janë katër AAK të licensuara nga Ministria e Kulturës, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vend.
Si i marrin AAK-të licensat e tyre?
Së pari, mbajtësit e së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me to duhet të krijojnë një organizatë jofitimprurëse (OJF) për të mbrojtur dhe administruar interesin më të mirë ekonomik e të drejtat e tyre morale.
Së dyti, këtyre subjekteve u duhet të hartojnë një Statut ku – ndër të tjera – përcaktohen:
- Objektivat dhe qëllimet
- Të drejtat e administruara
- Emri i Agjencisë së Administrimit Kolektiv
- Kategoritë e mbajtësve të së drejtave që përfaqëson Agjencia
- Selia (është e detyrueshme të jetë në Shqipëri)
Ministria e Kulturës jep licencën me propozim të Drejtorisë së të Drejtave të Autorit, por pasi kontrollon përputhshmërinë e AAK-së me kërkesat ligjore.
HARTO PËR 5 MINUTA STATUTIN TE PLATFORMA LEGIT
AAK si Përfaqësues i Autorizuar
Autorët i gëzojnë të drejtat e tyre të autorit vetëm për faktin e krijimit të veprës, prandaj nuk kërkohet regjistrim formal i tyre. Gjithsesi, ata mund ta bëjnë një gjë të tillë, vullnetarisht, duke aplikuar për regjistrim në Drejtorinë e të Drejtave të Autorit. Në rast se një autor është pjesë e një AAK-je, formulari i aplikimit mund të plotësohet dhe dorëzohet nga AAK-ja.
Kontrata Midis
Një AAK administron të drejtat e autorit në bazë të një kontratë të nënshkruar me të ku përcaktohen:
- Autorizimi i autorit për administrimin e të drejtave të tij
- Llojin e veprave dhe të drejtave për t’u administruar, dhe
- Kohëzgjatja e kontratës, e cila rinovohet çdo 3 (tre) vjet
Shkurtimisht
- Regjistrimi i të drejtave të autorit është një proces vullnetar.
- Autori mund ta bëjë vetë, ose duke autorizuar një person tjetër.
- Përfaqësuesi i autorizuar mund të jetë një person fizik që vepron në bazë të një prokure të thjeshtë, ose të bërë me akt noterial.
- Agjencitë e Administrimit Kolektiv mund të veprojnë në emër të autorit.
- Menaxhimi Kolektiv bëhet mbi veprat e së njëjtës kategori.
- Ligji parashikon kërkesa të caktuara për Agjencitë e Administrimit Kolektiv.
- Agjencitë e Administrimit Kolektiv janë persona juridik të themeluar si OJF.
- Agjencitë e Administrimit Kolektiv ushtrojnë kompetencat e tyre në bazë të një kontrate me shkrim me autorin e veprës.