BloguBurime LigjoreKontratat & TransaksionetNdërrmarrësi & TregtiArbitrazhi si Formë Alternative e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve dhe Rasti i Shqipërisë

April 28, 20220
http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2022/04/Arbitrazhi-si-Forme-Alternative-e-Zgjidhjes-se-Mosmarreveshjeve.png
Arbitrazhi 

 

Arbitrazhi është një formë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, që ndiqet për të evituar ndjekjen e procedurave në rrugë gjyqësore. Fillimisht është përdorur për të zgjidhur mosmarrëveshjet e lindura nga kontratat me natyrë tregtare, veçanërisht ato me element të huaj.  

Procesi ka më pak formalitete, është më shumë konfidencial dhe i menaxhueshëm nga palët. Janë palët ato që me anë të një marrëveshjeje të përbashkët përcaktojnë vendin ku do të zhvillohet arbitrazhi, gjuhën që do të përdoret gjatë procesit, tribunalin e arbitrave, ligjin e aplikueshëm, dhe rregulla të tjerë të procesit.  

 

Arbitrazh vs Proces Gjyqësor

 

Palët i zgjidhin mosmarrëveshjet në rrugë gjyqësore, edhe nëse në kontratë nuk e parashikojnë shprehimisht një klauzolë të posaçme për gjykatën kompetente së cilës do t’i drejtohen për çështjen e tyre. Në çdo rast, ato janë të detyrara t’i nënshtrohen rregullave të legjislacionit në fuqi, që parashikon gjykatën kompetente dhe ligjin e zbatueshëm.

E kundërta ndodh me arbitrazhin. Palët, në marrëveshjen e tyre mund të parashikojnë këtë klauzolë: 

 

“Çdo mosmarrëveshje, konflikt ose pretendim që lind nga ose në lidhje me këtë kontratë, që konsiston por nuk kufizohet në arritjen e marrëveshjes, vlefshmërinë ose përfundimin e saj, do të zgjidhet me arbitrazh, në përputhje me klauzolat e parashikuara në Marrëveshjen e Arbitrazhit.”

 

Kjo klauzolë nënkupton se palët kanë nënshkruar një Marrëveshje Arbitrazhi, e cila përmban rregulla të veçanta për procesin e arbitrazhit, i bashkëngjitet Kontratës, dhe parashikon mosmarrëveshjet që do të zgjidhen me arbitrazh. Megjithatë, palët nuk janë të detyruara të nënshkruajnë një marrëveshje të tillë, pasi mjafton të parashikojnë në kontratë një klauzolë ku të cilësojnë arbitrazhin, si mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tyre.

Sot, arbitrazhi përdoret gjerësisht në kontrata që udhëhiqen nga traktate të tregtisë dhe/ose investiemve ndërkombëtare, me palë qeveritë e shteteve dhe kompani të huaja.

 

Përse këto palë zgjedhin arbitrazhin? 

 

Arbitrazhi ka disa avantazhe ndaj procesit gjyqësor:

  • Privatësia

Procesi gjyqësor (zakonisht) është publik. Arbitrazhi është proces privat, ku vetëm palët, përfaqësuesit e tyre, tribunali i arbitrave, dhe persona të tjerë me rëndësi për procesin si p.sh. ekspertët apo dëshmimtarët – marrin pjesë. 

  • Vullneti i palëve

Përmbajtja e marrëveshjes së arbitrazhit hartohet sipas autonomisë dhe vullnetit të përbashkët të palëve.

  • Vendim i zbatueshëm

Vendimi i arbitrit, ose tribunalit të arbitrave, është njësoj i detyrueshëm për t’u zbatuar si vendimi i gjykatës. 

 

Marrëveshja për Arbitrazh

 

Palët mund ta parashikojnë në një Marrëveshje Arbitrazhi, ose klauzolë të veçantë, vendimin për t’i zgjidhur me arbitrazh mosmarrëveshjet që mund të lindin nga marrëdhënia kontraktore. Megjithatë, jo çdo mosmarrëveshje mund të zgjidhet në këtë formë. Prandaj, palët duhet të kontrollojnë nëse ligji që duan të aplikojnë për arbitrazhin e lejon që mosmarrëveshja e tyre mund të zgjidhet ose jo në rrugë alternative.

Kryesisht, çështjet penale, ose mosmarrëveshjet që lindin prej pretendimeve mbi patentat apo markat tregtare, nuk zgjidhen me arbitrazh. 

Arbitrat

 

Përzgjedhja e arbitrave bëhet me vullnetin e lirë të palëve. Ato mund të zgjedhin që mosmarrëveshja të shqyrtohet nga 1 (një) arbitër i vetëm, ose nga një tribunal me 3 (tre) arbitra.  

Në rastin e parë, palët e zgjedhin arbitrin bashkërisht. Në rastin e dytë, secila palë zgjedh një arbitër, dhe të dy arbitrat zgjedhin arbitrin e tretë. 

 

Ligji i aplikueshëm

 

Palët janë të lira të zgjedhin ligjin e aplikueshëm për Marrëveshjen e Arbitrazhit. Sipas këtij ligji, që mund të jetë: ligji i nënshtetësisë së palëve, një konventë ndërkombëtare, ose parime të përgjithshme të së drejtës – do të zgjidhet edhe mosmarrëveshja e tyre me një vendim përfundimtar. 

Megjithatë, mund të ndodhë që palët të mos e kenë përcaktuar ligjin e zbatueshëm. Në këtë rast, Tribunali, ose arbitri i vetëm, do të marrë rolin e përzgjedhësit të ligjit të aplikueshëm. 

 

Vendimi i Arbitrazhit

 

Palët që nënshkruajnë një Marrëveshje Arbitrazhi kanë për qëllim t’i binden vendimit përfundimtar të arbitrit/tribunalit.

Vendimi i arbitrazhit e zgjidh cështjen në tërësi, pra arbitrat shprehen dhe zgjidhin çdo pretendim të lindur nga mosmarrëveshja. Si i tillë, vendimi është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga palët. 

Megjithatë, në rast se një nga palët nuk është dakort me vendimin, ajo mund ta apelojë. Ky fakt nuk e bën vendimin të pazbatueshëm, por i jep mundësi palës apeluese të vendosi në vend interesat e pretenduara.

 

Zbatimi i Vendimit

 

Zbatimi i vendimit të tribunalit është detyrim për palët, edhe nëse legjislacioni i nënshtetësisë së tyre nuk ka një ligj të posaçëm për arbitrazhit. Në një rast të tillë, janë konventat ndërkombëtare – vecanërisht Konventa e New York-ut “Për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Arbitrazhit të Huaj” – ato instrumenta që e detyrojnë palën humbëse të ekzekutojë vendimin. 

Konventa e New York-ut parashikon se të gjitha palët nënshkruese të saj janë të detyruara t’i zbatojnë vendimet e arbitrazhit. Aktualisht kjo konventë numëron 169 palë nënshkruese. Një prej shteteve nënshkruese është edhe Shqipëria. 

 

Arbitrazhi Ndërkombëtar dhe Shteti Shqiptar

 

Një prej cështjeve më të rëndësishme të së drejtës së arbitrazhit, me palë Shtetin Shqiptar – është “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë” – e njohur nga publikun edhe si “Becchettti kundër Shqipërisë”, ku shteti shqiptar si pala humbëse refuzon të ekzekutojë vendimin e arbitrazhit. 

A2CNN ka përgatitur një dokumentar të shkurtër rreth kostove të fshehura të Arbitrazhit, që rëndojnë (ende) mbi buxhetin e shtetit shqiptar. 

Dokumentarin e përgatitur nga gazetari Angelo Haruni mund ta ndiqni këtu.

Ndërsa Legit, në këto rrjete sociale:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020