Në datën 27.1.2022, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Ligjin nr.6/2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues” të ndryshuar’, i cili ndryshon ligjin ekzistues nr. 112/2020.
Pse ndryshoi Ligji?
Ndryshimet ligjore reflektojnë nevojat e shoqërisë për norma të reja që rregullojnë mënyrën e të jetuarit, punuarit, apo të bërit biznes.
Miratimi i ligjit të ri ishte një domosdoshmëri në kuadër të lehtësimit e të përmirësimit të zbatimit të detyrimit për procesin e regjistrimit të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.
Përveç kësaj, sipas rekomandimeve të ekspertëve të MONEYVAL-it, ky ligj është një mekanizëm që do të nxisë rritjen e numrit të raportimeve të pronarëve përfitues.
Të dhëna nga “Raporti i Vlerësimit të të Ardhurave dhe Shpenzimeve Buxhetore” tregojnë se deri në momentin e miratimit të këtij ligji, janë vendosur 927 gjoba ndaj subjekteve raportuese për mospërmbushjen e detyrimit ligjor për regjistrimin e pronarëve të tyre përfitues brenda afatit ligjor përkatës, nga të cilët 109 subjekte raportuese kanë paguar gjobën përkatëse dhe kanë kryer regjistrimin e pronarëve të tyre përfitues në regjistrin e pronarëve përfitues.
Çfarë është një “pronar përfitues”?
Pronar përfitues është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit subjektin dhe/ose individin në emër të të cilit po kryhet një transaksion ose veprimtari.
Çfarë përmban regjistri i pronarëve përfitues?
Regjistri i Pronarëve Përfitues është një bazë të dhënash elektronike shtetërore, në të cilin regjistrohen të dhënat e pronarëve përfitues të subjekteve që kanë detyrimin e raportimit të tyre, që mbledh në kohë reale të dhënat e regjistruara në regjistrat respektivë shtetërorë të administruara nga institucionet shtetërore përkatëse, si dhe shërben si arkiv elektronik zyrtar dhe siguron transparencën në fushën e pronarëve përfitues.
Cilat subjekte ngarkohen me detyrimin e regjistrimit?
Personat juridikë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë janë të detyruar të deklarojnë pronarët përfitues. Subjektet që duhet të përmbushin këtë detyrim ligjor janë si më poshtë:
- Shoqëritë më përgjegjësi të kufizuar
- Shoqëritë aksionare
- Shoqëritë kolektive
- Shoqëritë komandite
- Zyrat e përfaqësimit dhe degët e shoqërive të huaja
- Shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre
- Shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë
- Shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor
- Çdo subjekt tjetër juridik, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së
- Organizatat jofitimprurëse
- Personat juridikë dhe ndërmarrjet, me aksionarë institucioneve qendrore dhe/ose vendore të Republikës së Shqipërisë edhe individë/persona juridikë të tjerë shqiptarë dhe/ose të huaj.
Cilat subjekte nuk ngarkohen me detyrimin e regjistrimit?
- Organizatat jofitimprurëse
- Personat juridikë dhe ndërmarrjet, aksionari i vetëm i të cilëve janë institucionet qendrore dhe/ose vendore të Republikës së Shqipërisë;
- Komunitetet fetare
- Partitë politike
- Personat fizikë, tregtarë të regjistruar në regjistrin tregtar
Cilat janë ndryshimet kryesore të Ligjit?
- Afate të reja dhe falje gjobash
Subjektet raportuese ekzistuese, të cilët nuk kanë përmbushur në kohë detyrimin e regjistrimit të pronarëve përfitues, duhet ta përmbushin këtë detyrim brenda datës 30.06.2022. Gjobat e vendosura për mospërmbushje në kohë të detyrimit ligjor, përpara miratimit të këtij ligji, janë falur.
- Rimbursim i shumave të paguara
Subjektet raportuese ekzistuese që kanë paguar gjobat e falura, kanë të drejtë të aplikojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB-së) për rimbursim.
- Aplikim i dyfishtë dhe heqja e pezullimit të aplikimit
Aplikimet për regjistrimin e subjekteve të reja në QKB do të shoqërohet me regjistrimin e pronarëve përfitues. Nëse ka mangësi në aplikim, subjektet raportuese nuk do të përballen më me refuzimin e menjëhershëm të regjistrimit.
Për shembull: Në rastet e refuzimit të aplikimit për regjistrimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese që regjistrohen në regjistrin tregtar me pronësi indirekte, regjistrimi bëhet brenda 40 (dyzet) ditëve kalendarike nga data e refuzimit të aplikimit.
- Mosrespektimi i afateve dhe gjobat
Mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afatit 40 (dyzet) ditor, dënohet me gjobë në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të organizatave jofitimprurëse, brenda afatit 40 (dyzet) ditor, dënohet me gjobë në vlerën 500 000 (gjashtëqind mijë) lekë.
Mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit 40 (dyzet) ditor, dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë.
Të mos flasim (shkruajmë) më për gjoba
Sipërmarrësit e rinj, veçanërisht ata që duan të regjistrojnë startup-in e tyre në QKB (lexo këtu për Projektligjin shqiptar mbi Startup-et), kanë prioritete të tjera.
Në Legit e dimë mirë se në momentin e lancimit të produktit, gjëja e fundit që do të lexosh si një startup-er janë shpenzimet e paparashikuara (për shembull, gjobat), prandaj kemi përgatitur një guidë elektronike që përmban të gjithë informacionin ligjor që ju duhet nga momenti i themelimit të startup-it e deri në lancimin e produktit.
Ligji për Pronarët Përfitues është publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 25, date 15.02.2022, dhe hyn në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit.
Ne premtojmë se guidën elektronike do ta publikojmë më shpejtë se kaq, ama nëse do të dish më shume – shkarko këtu guidën elektronike “Punësimi në Shqipëri”.
Lexohemi deri në postimin e rradhës në Blog!
Mos harro të Regjistrohesh më poshtë për t’u njoftuar në kohë për ndryshimet e fundit ligjore dhe lancimin e Legit2.0!