Këshillë miqësore: Leximi i këtij materiali do t’ju marrë më pak minuta sesa kënga e Fergie për filmin Getsbi i Madh.
Pse jeni këtu?
Ndoshta keni aplikuar në një nga postimet e Legit për vendet e lira të punës.
Ne nuk mund t’ju këshillojmë se si të shkruani një CV apo çfarë të thoni gjatë intervistës. Ama mund të të ofrojmë këshillat e duhura ligjore mbi cfarë duhet të prisni nga punonjësi juaj dhe marrëveshja e punës.
Gjërat e para në fillim
Keni kaluar fazën e intervistës. Punëdhënësi ju fton në një takim për të nënshkruar Kontratën e Punës. Ju lexoni një nga Nenet të titulluar “Periudha e Provës”.
Asgjë për t’u shqetësuar! Një periudhë prove është thjesht një vlerësim për të parë nëse aftësitë tuaja përputhen me këtë vend pune. Kodi i Punës e lejon.
Çfarë të presësh?
- Një kontratë me afat, ose
- Një kontratë pa afat.
Ligjvënësi shqiptar promovon nënshkrimin e llojit të dytë të kontratave.
Në përgjithësi, tre muajt e parë të punës konsiderohen një periudhë prove. Kjo periudhë mund të zvogëlohet ose hiqet, por duhet bërë gjithmonë me shkrim.
Periudha e provës në një kontratë me afat nuk duhet të jetë më shumë se 3 muaj, dhe në cdo rast duhet të specifikohet saktësisht se sa do të zgjasë.
Periudha e provës në një kontratë pa afat duhet të merret si e mirëqenë se do të zgjasë 3 muaj, prandaj nuk ka nevojë të specifikohet kohëzgjatja e saj. Megjithatë, nëse palët dëshirojnë ta përcaktojnë, ligji nuk parashikon asnje pengesë ligjore.
Ama nëse palët bien dakort për një afat më të shkurtër, apo për heqjen e periudhës së provës – kjo gjë duhet përcaktuar domosdoshmërisht në kontratë.
Për shembull
Nëse në një kontratë pa afat, palët duan të kenë një periudhë prove vetëm 5 ditë dhe nuk e specifikojnë se do të jetë vetëm aq – periudha e provës do të interpretohet si 3 mujore.
Pra, nëse lexoni një nen të ngjashëm me këtë “Gjatë tre muajve të parë, Punëdhënësi dhe Punëmarrësja mund ta përfundojnë kontratën duke e njoftuar njëri- tjetrin me shkrim, 5 ditë përpara” – duhet të kuptoni:
- “Tre muajt e parë” qëndrojnë për periudhën e provës.
- Gjatë periudhës së provës secila nga palët mund ta përfundojë kontratën duke njoftuar me shkrim, palën tjetër 5 ditë përpara.
- Përfundimi i kontratës gjatë kësaj periudhe nuk kërkon aplikimin e ndonjë procedure të veçantë (siç duhet të ndiqet në rastin e kontratave me afat të caktuar ose me afat të pacaktuar, pasi të ketë përfunduar periudha e provës).
Mos ndoshta nuk e mbajtëm premtimin? Nëse jo, filloje këngën nga e para! Legit ka materiale të tjera që mund të lexosh!