BloguBurime LigjoreDita Botërore e Librit dhe të Drejtave të Autorit

April 23, 20220
http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2022/04/Business-Training-for-Online-and-Offline-Courses-Instagram-Post-2.png

“Nuk ka asnjë libër aq të keq … sa që të mos ketë diçka të vlefshme në të.”

Miguel de Cervantes, Don Kishoti i Mançës (1605)

 

Rreth kësaj dite

 

Në vitin 1995, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë, dhe Kulturë (UNESCO) shpalli datën 23 prill si “Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit”. Rezoluta e miratuar në sesionin e 28-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s synonte mbrojtjen e pronësisë intelektuale – veçanërisht të drejtave të autorit, me anë të promovimit të leximit dhe mbështetjes ndaj botimeve të reja.

Përzgjedhja e kësaj dite nuk ishte rastësi. Data 23 prill përkon gjithashtu me lindjen dhe vdekjen e figurave më të rëndësishme të letërsisë botërore. Shekspiri, Servantes, Inca Garcilaso de la Vega kanë vdekur në 23 prill 1616. Po në të njëjtën datë ka lindur Vladimir Nabokov, Maurice Druon dhe Manuel Mejía Vallejo, prandaj 23 prilli u caktua si dita botërore e librit, në nder të penës dhe figurës së pashlyer të  tyre.

Legjendat urbane thonë se kjo datë e ka origjinën në Katalonia. Në 23 prill, në Ditën e Shën Gjergjit, librashitësit i dhuronin blerësve një trëndafil për çdo libër të shitur, në shenjë falenderimi.

 

Librat, autorët dhe legjislacioni

 

Data 23 prill shërben në vetvete si mjet për të ndërgjegjësuar njerëzit mbi rëndësinë që ka kreativiteti në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor.  Sot ka akte kombëtare e ndërkombëtare që e mbrojnë ligjërisht kreativitetin dhe format e shprehura të tij. Instrumenti më i rëndësishëm ndërkombëtar është “Konventa e Bernës”, në thelb të së cilës qëndron e drejta e autorit për të përfituar prej krijimeve të kapacitetit të tij intelektual. Parimet dhe konceptet e kësaj konvente janë inkorporuar edhe në ligji Nr. 35/2016 “Mbi të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të”.

Parimi më i rëndësishëm i këtyre instrumenteve është mbrojtja e së drejtës së autorit pa formalitete. Pra, në momentin që autori shkruan një libër, gëzon të drejta ekonomike dhe morale mbi të, edhe pa përfunduar me draftimin përfundimtar, apo pa pasur nevojën ta regjistrojë këtë të drejtë në një  një regjistër të vecantë.

Megjithatë, një punim i tillë duhet të jetë original dhe të tregojë karakteristika individuale në mënyrë që të gëzojë mbrojtje nga legjislacioni.

 

Çfarë është e drejta e autorit?

 

E drejta e autorit është mbrojtja e interesave ekonomike dhe morale të krijuesit mbi çdo krijim intelektual origjinal në fushën e letërsisë, artit dhe shkencës, i cili mbart karakteristika individuale, pavarësisht nga mënyra ose forma e shprehjes së tyre, objektivi, apo rëndësia.

Çdo pjesë ose element i një vepre, përfshirë titullin e saj ose një personazh të shprehur aty, që në vetvete përfaqëson krijimin intelektual, mbrohet gjithashtu nga e drejta e autorit.

Për shembull, nëse do të ekzistonin ligje që mbronin të drejtën e autorit në kohën kur Servantes shkroi “Don Kishoti-n”, libri, titulli i veprës dhe personazhi i Don Kishotit do të gëzonin të njëjtën mbrojtje. Prandaj ai, në mungesë të ligjeve që do t’i mbronin të drejtat, dhe për të evituar përdorimin e Don Kishotit nga shkrimtarë të tjerë në veprat e tyre, vendosi ta vriste personazhin.

Tani autorët nuk kanë përse t’i vrasin personazhet, të paktën për të njëjtën arsye. 🙂

 

Kohëzgjatja e të drejtave të autorit

 

Në Shqipëri, të drejtat ekonomike të autorit mbi një vepër zgjasin 70 vjet pas vdekjes së tij, ndërsa të drejtat morale i kalojnë trashëgimtarëve. Menjëherë pas kalimit të këtij afati,  vepra hyn në domenin publik dhe kushdo është i lirë ta përdorë atë – duke respektuar kufizimet ligjore të të drejtave morale.

 

“Ne e dimë se çfarë jemi, por jo çfarë mund të jemi”

William Shakespeare

 

Sot mund të zgjedhim të jemi lexuesi i shkrimtarit tonë të preferuar, dhurues të një libri, qytetarë të ndërgjegjësuar për rëndësinë që kanë të drejtat e autorit në nxitjen e krijmtarisë dhe mbrojtjen e kulturës së popujve, ose thjesht të njohur që ndajnë me njëri-tjetrin sugjerime titujsh.

 

Mund të jesh #legit duke sugjeruar më poshtë 3 tituj librash! 🙂

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020