Pronësia Industriale është një nga dy degët e Pronësisë Intelektuale, e cila përfshin:
- Patentat për shpikje
- Modelet e përdorimit
- Disenjot industriale
- Markat tregtare
- Emërtimet e origjinës
- Treguesit gjeografik
Ndryshe nga e Drejta e Autorit, e cila nuk ka nevojë për regjistrim formal për të gëzuar mbrojtje sepse ekziston ipso facto pas materializimit konkret të veprës, regjistrimi i Pronësisë Industriale ka efekt konstitutiv.
Një patente, për shembull, i jepet mbrojtje ligjore pas miratimit të kërkesës për regjistrim nga shpikësi i saj ose përfaqësuesi i autorizuar prej tij, por gjithmonë pasi ka kaluar procesin e shqyrtimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI).
Ligji “Për Pronësinë Industriale” (PI) është baza ligjore për të cilin duhet të ketë njohuri çdo palë e përfshirë në një proces krijues. Nga një lexim i përgjithshëm, ligji parashikon nene të njëjtë për secilën nga kategoritë e PI-së. Kërkesa për aplikim – për shembull – paraqitet gjithmonë në formë të shkruar, e shoqëruar me një përshkrim të shkurtër të elementeve përbërës të veprës, emrin dhe adresën e aplikantit, dhe autorizimin për përfaqësim (sipas rastit).
Megjithatë, kategori të caktuara të të drejtave mund të kenë kërkesa më specifike, siç është për shembull aplikimi për një tregues gjeografik, i cili mund të paraqitet vetëm nga grupi i prodhuesve që prodhojnë të njëjtin produkt.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) është autoriteti përgjegjës për organizimin e testimit me shkrim të aplikantëve, nëpërmjet një ë komisioni të posacëm që harton testin dhe mirëmban dokumentacionin e aplikantit derisa t’i jepet certifikata. Pasi aplikanti është regjistruar në regjistrin e mbajtur nga DPPI, ai pajiset me certifikatën shtetërore.
Ke nevojë për një përfaqësues të autorizuar? Kontakto këtu një prej tyre.
Ke nevojë për informacion ligjor të përditshëm? Regjistrohu këtu.