Në datën 10 qershor 2022, Këshilli i Ministrave depozitoi në zyrën e Kuvendit projektligjin me titull “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore” (Projektligji).
Zhvillimi i teknologjisë industriale dhe informative, automatizimi i prodhimit dhe zhvillimi i robotikës së shërbimeve kanë shtyrë gjeneratat e reja që të riorientojnë interesat e tyre më shumë në aplikimin e teknologjisë informative dhe aplikimin e software-it në dobi të zhvillimit ekonomik. Rrjedhimisht, mbështetja dhe promovimi i subjekteve që përdorin teknologjinë për krijimin dhe ofrimin e produkteve dhe shërbimeve, është në fokusin kryesor të politikave publike.
Hapësirat e quajtura “parqe teknologjike” kanë potencialin të bëhen një qendër jetike për kërkimin, zhvillimin dhe edukimin, me laboratorë dhe ambiente trajnimi, duke ofruar akomodim për fillimin e zgjerimin e bizneseve të reja.
Parqet e tilla kanë potencialin për të stimuluar investimet në ndërmarrjet e bazuara në teknologji dhe për të nxitur transferimin e teknologjisë midis subjekteve kërkimore dhe ndërmarrjeve
Miratimi i ligjit synon që nëpërmjet këtyre parqeve teknologjike, që do të kenë statusin e zonës së lirë doganore, të realizohet:
- Nxitja e zhvillimit të industrive të teknologjisë së lartë dhe inovacionit
- Rritja e kërkim-zhvillimit për produkte dhe shërbime të reja, si edhe përmirësimin e atyre ekzistuese
- Krijimi i vendeve më të kualifikuara të punës për profesionistë të fushave të shkencës dhe teknologjisë
- Krijimi i infrastrukturës teknologjike me qëllim përshpejtimin e zhvillimit të inovacionit në produkte apo metoda prodhimi
- Lehtësimi i sipërmarrjes inovative
- Krijimi i lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet bazës së njohurive, p.sh. instituteve kërkimore dhe/ose universiteteve dhe bizneseve
- Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
- Tërheqja e investimeve të huaja dhe vendase
- Lehtësimi i aktiviteteve që gjenerojnë produkte me vlerë të lartë të shtuar
- Zhvillimi i kërkimit dhe inovacionit
- Prodhimi në sektorin e teknologjisë
- Krijimi i ekspertizës me aftësi të lartë
Çfarë konsiderohet “park teknologjik”?
Projektligji e përkufizon “parkun teknologjik” si më poshtë:
“Parku teknologjik është një zonë me kufij të përcaktuar, ku integrohen struktura kërkimore e zhvillimore dhe në të cilën përfshihen entitete, të cilat përdorin teknologji të avancuar në zhvillimin e produkteve ose shërbimeve apo të cilat investojnë në kthimin e shpikjeve teknologjike në produkte finale, duke përfituar nga strukturat kërkimore të parkut dhe ka kuptimin e “zonës së lirë”, sipas Kodit Doganor.”
Parqet teknologjike do të hapen me miratimin e Këshillit të Ministrave, në bazë të propozimit të ministres përgjegjëse për ekonominë.
“Persona fizik ose juridik, vendas ose të huaj, që ushtrojnë veprimtarinë brenda parkut.”
“Produkt, i cili, po të krahasohet me gamën e mëparshme ekzistuese të produktit, paraqet ndryshime thelbësore teknologjike në material, pjesë apo funksion.”
– Neni 2 (dh)
“Persona fizik ose juridik, vendas ose të huaj, që ndërtojnë dhe administrojnë funksionimin e parkut.”
– Neni 2 (e)
Parqet kanë si qëllim nxitjen e një ose më shumë të këtyre objektivave:
- Zhvillimi i industrive të teknologjisë së lartë dhe inovacionit;
- Kërkim-zhvillimi për produkte dhe shërbime të reja, si edhe përmirësimi i atyre ekzistuese;
- Krijimi i vendeve të kualifikuara të punës për profesionistë të fushave të shkencës e të teknologjisë.
Veprimtaritë e lejuara në park përfshijnë aktivitete, që:
- angazhohen në kërkim-zhvillim, me qëllim përfitimin e njohurive të reja teknologjike apo shkencore, të cilat mundësojnë zhvillimin e produkteve apo të shërbimeve
- krijojnë metoda të reja të prodhimit të produkteve apo të shërbimeve ose përdorin teknologji të avancuar në prodhimin e software-eve, në përpunimin e të dhënave apo në aktivitete të ngjashme;
- përmirësojnë produkte dhe shërbime në një mënyrë që sjell ndryshim thelbësor, jo të një natyre estetike, në pjesë apo në funksion, krahasuar me produktet ekzistuese
- fokusohen në trajnimin e ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve, me qëllim angazhimin e tyre në prodhimin e produkteve dhe të shërbimeve inovative.
Këshilli i Ministrave mund të miratojë edhe veprimtari të tjera të lejuara.
Lehtësira fiskale
Zhvilluesi dhe përdoruesit në park përfitojnë lehtësitë fiskale, si më poshtë:
- Furnizim për eksport me shkallë 0 për mallrat shqiptare të destinuara për t’u vendosur në park, të cilat do të shërbejnë për nxjerrjen e “produktit inovativ”
- Norma e tatimfitimit do të jetë 0 për 15 vite të njëpasnjëshme për ato të ardhura që gjenerohen nga aktivitetet, të cilat zhvillohen në park
- Pagat e personelit që punon në kërkim-zhvillim të përdoruesit në park dhe i gjithë stafi i zhvilluesit përjashtohen nga të gjitha taksat për një periudhë 10-vjeçare
- Përjashtohen nga TVSH-ja mallrat, pajisjet dhe shërbimet e përdorura në park, të cilat do të shërbejnë për nxjerrjen e “produktit inovativ”
- Përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë 10-vjeçare për ndërtimet e realizuara në park
- Kostot e trajnimit për punonjësit shkencorë dhe teknikë në park mund të rimbursohen pjesërisht nga shteti
Pronësia intelektuale
Përdoruesit në park duhet ta regjistrojnë pronësinë intelektuale për krijimet e zhvilluara në park.
Një nismë e ngjashme për mbështetjen dhe zhvillimin e inovacionit është edhe miratimi i Ligjit Nr. 25/2022 “Për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve” (Ligji).
Artikuj të ngjashëm mund të lexosh në seksionin “Startup” te legit.al.