BloguBurime LigjoreKontratat & TransaksionetKosovë: Ligji i Ri për Markat Tregtare

August 16, 20220
http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2022/08/Kosov.png

Në datën 13 korrik 2022 hyri në fuqi Ligji i ri i Markave Tregtare, i cili përcakton kushtet dhe procedurat për regjistrimin e markave tregtare dhe të drejtat që rrjedhin nga regjistrimi dhe zbatimi i këtyre të drejtave në Republikën e Kosovës. 

Ky ligj është pjesërisht në harmonizim me Direktivën e BE 2015/2436 të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, 16 dhjetor 2015, për përafrimin e ligjeve të Shteteve Anëtare në lidhje me markat tregtare dhe Direktivën 2004/48/EC e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, 29 prill 2004, mbi Zbatimin e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale. 

Pritet që ky ligj të sjellë ndryshime të reja në fushën e Markave Tregtare. 

Ndryshimet më të rëndësishme të këtij ligji kanë të bëjnë me:

  • Shkaqet për refuzime absolute dhe relative të markave tregtare;
  • Mbrojtje ndaj shkeljeve të së drejtave të pronarit të markës tregtare;
  • Shterimin e të drejtave të fituara nga një markë tregtare.
 
Shkaqet për refuzime absolute dhe relative të markave tregtare:

 

Ligji i ri i Markave Tregtare parashikon disa arsye shtesë për refuzimin absolut të një marke tregtare, që renditen si në vijim:

  • Markat tregtare të cilat janë të përjashtuara nga regjistrimet sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, apo marrëveshjeve ndërkombëtare pjesë e të cilave është Republika e Kosovës, e që ofrojnë mbrojtje për emërtimet e origjinës apo treguesit gjeografik;
  • Markat Tregtare që janë përjashtuar nga regjistrimi sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës apo sipas marrëveshjes ndërkombëtare ku janë palë Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, e që ofrojnë mbrojtje për shprehjet tradicionale të verës;
  • Markat Tregtare të cilat përjashtohen sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës apo marrëveshjes ndërkombëtare ku janë palë Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, e që ofrojnë mbrojtje për specialitetet tradicionale të garantuara;
  • Markat Tregtare të cilat përbëhen nga denominimi i mëhershëm i varietit bimor, apo riprodhimit në elementet e saja esenciale, të regjistruar në pajtim me dispozitat ligjore të Republikës së Kosovës apo marrëveshjen ndërkombëtare ku janë palë Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, e që ofrojnë mbrojtje për të drejtat e varieteteve bimore, dhe të varieteteve bimore të specieve të njëjta apo të afërme.

Kurse, sa i përket arsyeve relative për refuzimin e një marke tregtare, kemi disa ndryshime të reja në Ligjin e ri:

  • Marka tregtare nuk duhet të regjistrohet ose, nëse është regjistruar, mund të shpallet si e pavlefshme nëse një aplikim për një emërtim të origjinës ose një tregues gjeografik është paraqitur tashmë para datës së aplikimit për regjistrimin e markës tregtare ose datën e përparësisë së pretenduar për aplikim për aq sa emërtimi i origjinës ose treguesi gjeografik i jep të drejtën pronarit të ndaloj përdorimin e një marke tregtare të mëvonshme;
  • Përdorimi i markës tregtare mund të ndalohet edhe në bazë të një drejte të mëhershme si:

– Një e drejtë për emër;

– Një e drejtë e portretit personal;

– Një e drejtë e autorit;

– Një e drejtë e pronësisë industriale. 

  • Aplikimi për markë tregtare mund të refuzohet, ose nëse është regjistruar, të shfuqizohet, nëse kërkesa për regjistrim të markës tregtare është bërë me keqbesim nga aplikuesi. 

 

Mbrojtje ndaj shkeljeve të së drejtave të pronarit të markës tregtare

 

Ligji i ri prezanton mbrojtje shtesë lidhur me mbrojtjen e të drejtave që dalin nga markat tregtare. Neni 10 i këtij Ligji i jep pronarit të drejtë për të ndaluar veprimet përgatitore lidhur me përdorimin e paketimeve dhe mjeteve tjera: 

  • Kur ekziston rreziku që paketimet, etiketat, veçoritë ose shenjat e sigurisë ose origjinalitetit, apo çfarëdo mjeti tjetër të cilit i është vendosur marka tregtare, mund të përdoren në lidhje me mallrat ose shërbimet dhe se ky përdorimi do të përbënte një shkelje të të drejtave të pronarit të një marke tregtare sipas nenit 9 paragrafët 2 dhe 3 të këtij ligji, pronari i kësaj marke tregtare ka të drejtë të ndalojë veprimet e mëposhtme, nëse ato kryhen gjatë qarkullimit tregtar si:

– vendosjen e një shenjë identike ose të ngjashme me markën tregtare në paketim, etiketë, veçoritë ose shenjat e sigurisë ose origjinalitetit apo në ndonjë objekt tjetër, në të cilin mund të vendoset marka;

– ofrimin ose vendosjen në treg apo magazinimin e tyre për ato qëllime, importimin ose eksportimin, paketimin, etiketimin, veçoritë ose shenjat e sigurisë ose origjinalitetit, ose ndonjë objekt tjetër, në të cilin është vendosur marka.

Shterimi i të drejtave të fituara nga një markë tregtare:

Për dallim nga ligji i vjetër i markave tregtare, pronarët e markave tregtare nuk mund të ndalojë përdorimin e markës tregtare në produktin që pronari ka vendosur në treg në njërin nga këto vende:

  • Republika e Kosovës;
  • Shtet anëtar i Bashkimit Evropian;
  • Shteti anëtar i Zonës Ekonomike Evropiane;
  • Shteti me të cilin Republika e Kosovës ka marrëveshje të tregtisë lirë ose lehtësira tregtare. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020