Kur palet vendosin të lidhin një kontratë , duhet të bien dakord edhe për kushtet e saj. Kushtet e kontratës janë tre llojesh:
1- kushte thelbësore,
2- kushte të zakonshme, dhe
3 – kushte të rastit.
Çfarë janë kushtet thelbësore të kontratës?
Kushtet thelbësore janë ato kushte të cilat janë absolutisht të domosdoshme dhe të kërkueshme për lidhjen e një kontrate. Kontrata quhet e lidhur kur palët janë marrë vesh për kushtet thelbësore që janë të domosdoshme për lidhjen e saj. Mungesa, qoftë edhe e njërit prej tyre, e ben kontratën të pavlefshme.
Kushtet thelbësore parashikohen në dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me kontratat e veçanta. Kushte thelbësore mund të jenë edhe ato që ndonëse nuk parashikohen nga ligji, arrihen me marrëveshje të palëve. I tillë do të konsiderohet një kusht me natyrë pezulluese apo shuese, që parashikohet nga palët për fatin e kontratës, ku nëse ai nuk përmbushet, kontrata zgjidhet.
Një kusht thelbësor universal që takohet në çdo kontratë është objekti. Pa objekt nuk mund të ketë kontratë, sepse ai është një nga elementet e saj.
Në kontrata të caktuara, kusht thelbësor mund të jetë edhe çmimi dhe afati. Për shembull , te kontrata e shitjes apo e qirasë shpërblimi, çmimi apo qiraja është kusht thelbësor, sepse shitje pa çmim nuk ka, apo kontratë qiraje pa qira nuk ka.
Çfarë janë kushtet e zakonshme të kontratës?
Kushte të zakonshme të kontratës konsiderohen ato kushte që ndeshen në lloje të caktuara kontratash . Këto kushte parashikohen me norma juridike lejuese ose dispozitive. Edhe nëse palët nuk i kanë përmendur në marrëveshjen e tyre, mungesa e tyre nuk e bën kontratën të pavlefshme.
Mungesa e kushteve të zakonshme në kontratë nuk sjell pasoja negative për palët, sepse këto lloj kushtesh konsiderohen të mirëqëna, sepse parashikohen ligji. Këto kushte kanë gjithmonë natyrë ligjore përsa i përket rregullit të zakonshëm që sanksionojnë.
Çfarë janë kushtet e rastit të kontratës?
Kushte të rastit quhen ato kushte që nuk janë as të zakonshme, as thelbësore, por gjenden në kontratë, sepse e kanë parashikuar palët. Kushte të rastit mund të jenë për shembull:
- kushti që përcakton një afat në një kontratë të huasë;
- kushti i riblerjes në një kontratë shitje, ku palët bien dakort që në rast se blerësi do ta shesë në të ardhmen sendin, atëherë shitësi preferohet si blerësi i saj;
- përcaktimi i preferencës së qiramarrësit nëse pronari do ta rijapë përsëri sendin me qira;
- kushti i mbajtjes së sendit me qira nga shitësi pas kalimit të pronësisë tek blerësi;
- kushti i montimit dhe instalimit të sendit nga shitësi pas shitblerjes;
- kushti i transportimit të sendit të blerë nga shitësi;
- kushti i shitjes së një sendi pa pasur blerësi të drejtën ta rishesë, përsa kohë që shitësi është gjallë;
- kushti i dhurimit të një sendi, pa pasur përfituesi të drejtë ta shesë, por vetëm të kalojë pronësinë me trashëgimi ligjore;
- kushti që të marrësh një send me qira dhe qiramarrësi të preferohet si blerës i parë, në rast se shitësi dëshiron ta shesë sendin , gjatë vazhdimit të qirasë;
- kushti që në rast të zgjidhjes para kohe të kontratës secila nga palët që do të ushtrojë këtë të drejtë do t’i paguajë palës tjetër një penalitet;
- kushti për legjislacionin kompetent të ndryshëm nga vendi ku lidhet kontrata;
- kushti për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me arbitrazh ndërkombëtar apo vendas, etj.