Idealisht, tregu vetë-rregullohet për shkak të ligjit të ofertës dhe ligjit të kërkesës. Megjithatë, strukturat monopoliste priren (jo rrallëherë) të ndikojnë në eleminimin e tregut të drejtë, të barabartë dhe efikas.
Institucionet me anë të ligjeve dhe politikave publike synojnë të pakësojë këtë mungesë të konkurrencës duke miratuar rregulla, ligje dhe akte të tjera nënligjore.
Në Shqipëri, ligjvënësi ka ndjekur të njëjtën praktikë për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg. Prandaj, Ligji nr. 10, 317 datë 19.09.2010 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndryshoi Ligjin nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Ndryshimet e reja parashikojnë dispozita ligjore për rregullimin e sjelljeve që duken të ligjshme, por që në fakt synojnë dominimin e tregut nga kompanitë që i praktikojnë. Këto sjellje janë bashkimet dhe blerjet e kompanive.
Një formë tjetër e ushtrimit të konkurrencës së padrejtë është rënia në ujdi paraprake për sjelljet në treg.
Ligji përcakton rregulla sjelljeje dhe përgjegjësi për:
- Autoritetin e Konkurrencës
- Ndërrmarjet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në treg
- Organet e Administratës Publike
Cënimi i Konkurrencës së Lirë në Treg
Një ose më shumë ndërmarrje mund ta pengojnë konkurrencën në treg nëse veprojnë në mënyrë të pavarur, pa u ndikuar nga kërkesa dhe oferta, duke rrezikuar kështu interesat e konkurrentëve, klientëve apo konsumatorit.
Ligji ndalon:
- Marrëveshjet apo praktikat e dakordësuara midis dy apo më shumë ndërmarrjeve
- Vendimet ose rekomandimet e grupimeve të ndërmarrjeve
Këto marrëveshje mund ta kenë si qëllim në vetëvete ose pasojë të veprimtarisë, pengimin, kufizimin, apo shtrembërimin e konkurrencës në treg.
Pavarësisht formës së tyre, të shkruar apo jo, ligji ndalon marrëveshjet që :
- Ndikojnë në çmimet e blerjes ose të shitjes
- Kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet
- Ndikojnë në ndarjen e tregjeve ose burimeve të furnizimit
- Zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta
- Kushtëzojnë lidhjen e kontratave duke ngarkuar detyrime shtesë
Ndërmarrjet mund të themelohen nga një person fizik ose juridik, privat ose publik. Mjafton që forma e tyre e organizimit të ushtrojë një veprimtari me natyrë ekonomike.
Organet e adminsitratës qëndrore e vendore, entet ose instritucionet publike – konsiderohen si ndërmarrje sipas ligjit gjithashtu – kur ato kryejnë veprimtari ekonomike.
Ndërmarrjet – për të mbrojtur interesat e tyre – mund të organizohen edhe në grupime ndërmarrjesh. Pavarësisht formës si person juridik, privat ose publik, qëllimi i organizimit të tyre mund të mos jetë gjithmonë fitimi, por mbrojtja e interesave të ndërmarrjeve anëtare.
Autoriteti i Konkurrencës
Në çdo rast, Institucioni përgjegjës për zbatimin e ligjit është Autoriteti i Konkurrencës. Ai ushtron vendimmarrjen e tij përmes Komisionit të Konkurrencës. Ky Komision mund të fillojë një hetim paraprak ose një hetim të thelluar nëse vëren çmime të fiksuara ose ndonjë rrethanë tjetër të arsyeshme – të cilat e kufizojnë ose e shtrembërojnë konkurrencën në treg.