Në ekonominë e sotme, çdo kompani duhet të ketë njohuri mbi Pronësinë Intelektuale (PI). Ka shumë arsye pse sipërmarrësit duhet ti implementojnë këto informacione në planin e tyre të biznesit. Pavarësisht se rekomandohet të shkoni te një avokat për këshilla specifike ligjore, mund të drejtoheni gjithmonë në Legit për t’u informuar më mirë mbi nevojat ligjore të biznesit tuaj.
Nëse njohuria është fuqi, njohja e pronësisë intelektuale përbën potencial për të patur një pozicion më të mirë në treg.
Çfarë duhet të dini më shumë?
Patenta është një degë e Pronësisë Intelektuale, e cila i jep të drejta ekskluzive pronarit/es. Ajo jepet e materialziuar në një dokument ku përshkruhet shpikja mbi të cilën është dhënë patenta dhe situata ligjore e pronarit/es. Në bazë të “të drejtave ekskluzive” të tij / saj mbi patentën, mbajtësi/ ja mund të vendosë si dhe nga kush mund të shfrytëzohet shpikja.
Si ta kuptoj nëse krijimi im është një shpikje?
- Krijimi mund të jetë një produkt ose një proces.
- Duhet të ofrojë një zgjidhje në fushën e teknologjisë.
- Demostron risi, hapa shpikës dhe të është i dobishëm për zbatim industrial.
Sidoqoftë, disa shpikje mund të përjashtohen nga patentueshmëria, nëse e kërkon rendi publik ose morali i përgjithshëm i një Shteti.
Çfarë mund të përjashtohet tjetër?
- Metodat diagnostike, terapeutike dhe kirurgjikale për trajtimin e njerëzve ose kafshëve
- Bimë dhe kafshë të tjera përveç mikroorganizmave, dhe proceseve biologjike për prodhimin e bimëve ose kafshëve përveç proceseve jo-biologjike dhe mikrobiologjike
Si mund të përfitosh nga patentueshmëria?
Imagjinoni këtë situatë: Ju jeni themelues i një ndërmarrjeje të vogël në fushën e teknologjisë. Një Korporatë ju nënkontrakton për suport në teknologjinë e informacionit dhe, sipas rastit, çdo shërbim tjetër të kësaj natyre. Nëse gjatë punës së përditshme, ju gjeni zgjidhjen për një nga proceset që ju ka shqetësuar për një kohë të gjatë, çfarë do të bënit?
- Fillimisht bëni disa kërkime. Kontrolloni nëse ka ndonjë mbrojtje aktuale për patentës që synoni të merrni.
- Nëse jo, hartoni një marrëveshje mosdeklarimi dhe kërkoni nga kontraktori juaj ta nënshkruajë atë. Meqenëse komunikimi që do të bëni të dy – kërkon të zbulosh informacione delikate lidhur me zgjidhjen që synon të patentosh – këshillohet të krijosh një marrëdhënie ligjore konfidenciale. Marrëveshja duhet të përmbajë një përmbledhje të shpikjes tuaj, dhe se si ajo ofron një zgjidhje të re ndaj situatës aktuale.
- Më pas mund të vazhdoni me patentueshmërinë.
Siç është përmendur edhe më lart, një patentë i siguron pronarit/es të drejta ekskluzive mbi shpikjen. Ndër to:
- Të ndalojë të tjerët të përdorin, ofrojnë për shitje, shesin, ose importojnë produktin/ procesin objekt patente, pa pasur më parë pëlqimin e pronarit/es.
- Të transferojë patentën, ose të japi kontrata licensimi.
- Nxit dhe siguron inovacionin
- Mbron interesat aktuale dhe të ardhshme ekonomike të shpikësve
- Informon publikun për çdo shpikje të re
- Mbështet iniciativat teknologjike
- Siguron konkurrencë të ndershme në treg
- Stimulon zbatimin e ligjit
- Rrit produktivitetin
- Prezanton produkte dhe shërbime të reja.
Falë Traktatit të Bashkëpunimit për Patentat (PCT), një aplikim i vetëm i bërë në një nga shtetet kontraktuese ofron mbrojtje në të gjithë 153 Shtetet kontraktuese. Duke qenë se Shqipëria është një shtet kontraktues i traktatit, çdo shpikës i interesuar mund të aplikojë online në Regjistrin Kombëtar të Patentave. Nëse plotëson kushtet dhe aplikimi nuk i refuzohet, mbi shpikjen jepet mbrojtje për një periudhë 20 vjeçare, në të gjitha vendet anëtare të traktatit.
Thjesht sigurohuni që shpikjen ta përshkruani në mënyrë të plotë dhe mjaft të qartë, që kuptohet mbi të gjitha mënyra se si është realizuar.
Aplikimi mund të refuzohet për arsye të ndryshme
- Shpikja nuk është e re. Ekziston një patentë për shpikjen që ju pretendoni.
- Shpikja nuk ofron një zgjidhje specifike.
- Aplikimi ka gabime gramatikore; përshkrimi i procesit të shpikjes nuk jep mjaftueshëm informacion mbi procesin / produktin; apo për shkak të çdo gabimi tjetër lidhur me numrat, linjat ose vizatimet e procesit / produktit.
Në një nivel ndërkombëtar, janë disa traktate që garantojnë mbrojtjen e patentave
- Konventa e Parisit për Mbrojtjen e Pronës Industriale (1883)
- Marrëveshja e Organizatës Botërore të Tregtisë mbi Çështje të Lidhura me Tregtimin e të Drejtave të pronësisë Intelektuale (1994)
- Traktati i Bashkëpunimit për Patentat – ofron zgjidhje procedurale (1970)
- dhe Traktati mbi Ligjin për Patentat – ofron zgjidhje procedurale (2000)
Zyra të tjera rajonale për patentat:
- Organizata Afrikane e Pronës Intelektuale (OAPI)
- Organizata Euroaziatike e Patentave (OEP)
- Zyra Evropiane e Patentave (ZEP)
- Zyra e Patentave e Këshillit të Bashkëpunimit midis Shteteve Arabe.
Bëhu krijues! Bëhu shpikës!