Burime LigjoreKontratat & TransaksionetNjë Kontratë nga Oferta deri te Pranimi

July 23, 20210

Marrëdhënia kontraktore është dinamike. Palët synojnë krijimin e raporteve të sigurta ligjërisht, por edhe liri veprimi në të njëjtën kohë. Kodi Civil shqiptar (Kodi Civil) mbështet lirinë kontraktore me anë të një sërë dispozitash – e tillë është ‘liria e përmbajtjes’. Kjo e drejtë u lejon palëve që të përcaktojnë lirisht përmbajtjen e kontratës, duke respektuar kufijtë e vendosur me ligj. Më shumë për këtë temë mund të lexoni në një postim të mëparëshëm.

Kontrata, me tërësinë e dispozitave të saj, kthehet në ligj për palët në momentin që bëhet i dukshëm vullneti i përbashkët – pra, pasi pjesmarrësit janë mirëkuptuar për të gjitha kushtet kontraktore. Përjashtim bëjnë ato kontrata për të cilat ligji kërkon një formë të caktuar, apo dorëzimin e sendit, si shprehje e përputhjes së vullnetit.

Çasti i lidhjes është një element kohor me rëndësi juridike, pasi që nga ky moment lindin pasoja ligjore për kontraktuesit. Megjithatë, përpara finalizimit të vullnetit të tyre, palët kalojnë në dy faza shumë të rëndësishme që janë: oferta dhe pranimi.

Oferta

Oferta është një propozim i njëanëshëm nga pala që ka interes për të hyrë në një marrëdhënie kontraktore. Sipas Kodit Civil oferta vlen si propozim nëse është e plote dhe përmban elementët thelbësore të kontratës, që janë:

  • pëlqimin e shprehur të palës që merr përsipër detyrimin, 
  • shkakun e ligjshëm në të cilin mbështetet detyrimi, dhe 
  • objektin që formon lëndën e kontratës.

Në varësi të natyrës së marrëdhënies, propozimi mund të jetë me afat ose jo. Në çdo rast, propozuesi qëndron i lidhur me ofertën e bërë. Nëse periudha kohore brenda së cilës propozuesi pret një përgjigje është e përcaktuar, jemi përpara propozimit me afat. Megjithatë, duhet marr në konsideratë koha që i duhet palës tjetër që të konsiderojë ofertën dhe të kthejë një përgjigje.

Nëse të dyja palët janë në një komunikim të vazhdueshëm, qoftë nëpërmjet mjeteve elektronike apo fizikisht, dhe propozimi pa një një afat nuk pranohet nga pala tjetër aty për aty, do të konsiderohet si i refuzuar. Megjithëse, edhe në këtë rast, palët kanë mundësi të caktojnë një afat kohor brenda të cilit propozuesi mund të presë përgjigjen nga marrësi.

Për shembull: Një tregtar i propozon një tjetri, furnizimin me mallra për nje vit. Të dy personat ndodhen në zyrën e këtij të parit. Tregtari të cilit i bëhet oferta, ka një propozim po me të njëjtin objekt, nga një person tjetër. Përballë kësaj situate e në mirëbesim, ja vë në dijeni ofertuesit këtë fakt, duke i shprehur se ka nevojë për dhjetë ditë kohë për t’i konsideruar të dyja ofertat. Brenda këtyre dhjetë ditëve, ai do t’i kthejë përgjigje përfundimtare tregtarit ofertues. Kështu pra, pavarësisht se palët janë fizikisht të pranishme, dhe ekziston një vullnet i përbashkët për të hyrë në një kontratë, duke qëne se pala marrëse kërkon më shumë kohë, ofertuesi qëndron i lidhur me propozimin e bërë deri në fund të afatit dhjetë ditor. Oferta rrëzohet në rast se pala marrëse nuk e pranon, ose nuk kthen asnjë përgjigje brenda këtij afati. Nëse ofertuesi nuk ka caktuar një afat, Kodi Civil parashikon lidhjen e tij me propozimin e bërë për aq kohë sa sipas rrethanave, rast pas rasti, është e nevojshme t’i vijë përgjigjia.

Pranimi

Ashtu sikurse oferta, edhe pranimi duhet të plotësojë disa kushte për të qënë i vlefshëm. Personi të cilit i drejtohet oferta, duhet të përgjigjet se është dakort për të gjitha kushtet e propozuara. Në të kundërt, do të jemi përballë mospranimit ose një propozimi të ri, sepse ka parashikime të ndryshme nga oferta fillestare.

Respektimi i afatit kohor është po aq i rëndësishëm. Ofertuesi mund të vlerësojë të mos i qëndrojë propozimin të tij nëse pranimi bëhet përtej afatit të caktuar. Në rast se ofertuesi e pranon përgjigjen, edhe pas kalimit të afatit fillestar, duhet që në cdo rast të njoftojë palën tjetër.

Kodi Civil parashikon dy mënyra se si shprehet vullneti: në mënyrë të shprehur apo të heshtur. Heshtja shprehet me realizimin e veprimeve konkludente, pa njoftuar pohimin më parë. Për shembull: Nëse ofertuesi që propozon furnizim me mallra pret përgjigje brenda tri ditësh, e në ditën e dytë pala pranuese dërgon sasinë dhe llojin e mallit të cilësuar në ofertë, ky konsiderohet pranim i kryer me veprime të caktuara. Megjithatë, pranuesi duhet te njoftojë ofertuesin se ka nisur realizimin e përmbushjes së detyrimit, për të evituar situatat e shpërblimit të dëmit.

Siç është përmendur edhe më sipër, momenti i përputhjes së vullnetit të ofertuesit me atë të pranuesit ka rëndësi për palët që hyjnë në marrëdhënie sepse i jep efekt juridik kontratës. Kështu, kontrata do të quhet e lidhur kur propozuesi njoftohet për pranimin e ofertës.

Megjithatë, për të evituar situata që mund të shkaktojnë konflikt në këtë fazë, vullneti mund të shprehet sipas formave që Kodi i Procedurës Civile (KPC) parashikon në cilësinë e provës. Kështu, mund të bëhet me anë të një shkrese, letërporosie, akti zyrtar, komunikimi me mjete elektronike, apo cfarëdo forme të bërë në mënyrë të ligjshme.

Cilido qoftë vullneti i palëve apo kohëzgjatja e fazës së bisedimeve për të finalizuar një kontratë, e rëndësishme është të udhëhiqen nga ligji dhe mirëbesimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020