BloguBurime LigjoreNdërrmarrësi & TregtiNuk Jemi më në Kansas: Legit i Përgjigjet të Gjitha Pyetjeve Ligjore Rreth Metaverse

September 7, 20220
http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2022/09/Nuk-Jemi-me-ne-Kansas-1.png

Në Magjistarin e Ozit, Dorothy i thotë qenit të saj: 

“Toto, kam ndjesinë se nuk jemi më në Kansas”. 

Toka magjike e Ozit iu duk shumë më magjike Dorothy-t, e cila u rrëmbye nga shtëpia e saj në Kansas nga një tornado. Tornadoja, për komunitetin ligjor, ka qenë njoftimi i Mark Zuckerberg, themeluesit të Facebook, tashmë të njohur si META, në tetor 2021 për një koncept të ri të quajtur Metaverse.

Metaverse është një botë tredimensionale ku njerëzit duan, jetojnë dhe shpenzojnë para. Të gjithë përdoruesit kanë një binjak digjital – një avatar të personalizuar që i përfaqëson ata në botën virtuale dhe ata ndërveprojnë me njëri-tjetrin në një mënyrë të ngjashme si në botën fizike.

Në thelb – një njeri në metaverse mund të:

  • bëhet pronar i pasurive të paluajtshme
  • krijojë lojëra dhe përvoja
  • shprehë individualitetin përmes një avatari
  • takojë kolegë dhe të shoqërohet me miqtë
  • blejë, shesë dhe të investojë në vepra arti digjitale.

Teksa lexojmë listën, mund të kanalizojmë Jake Peralta nga Brooklyn Nine-Nine duke mërmëritur “Cool, cool, cool, cool, cool. Pa dyshim, pa dyshim, pa dyshim.”, por avokati brenda nesh mendon për të tjera pyetje ligjore:

  1. Kush sundon në Metaverse?
  2. A ekziston një koncept i identitetit?
  3. A ka pak apo shumë privatësi në Metaverse?
  4. A është Metaverse një treg i rregulluar mirë? I sigurt? I drejtë?
  5. A mbrohet jeta reale/prona intelektuale virtuale? Si?

 

  1. Kush sundon në Metaverse?

 

Sovraniteti dhe Juridiksioni janë dy koncepte që një studente e drejtësisë mëson në vitin e parë të studimeve. 

Në terma laikë, sovraniteti është fuqia për të bërë ligje nga një sovran – ai që e ushtron këtë pushtet përtej fuqisë së të tjerëve për të ndërhyrë, dhe juridiksioni është territori brenda të cilit ky sovran mund të sundojë. 

Në botën reale, ka një bollëk legjislacionesh, traktatesh dhe rregullash që kanë rregulluar kufijtë e juridiksionit dhe sovranit të një personi. 

Po në Metaverse? 

Kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen.

Metaverse punon me një teknologji blockchain, e cila përkufizohet si libri i përbashkët, i pandryshueshëm, që lehtëson procesin e regjistrimit të transaksioneve dhe ndjekjes së aktiveve në një rrjet biznesi. 

Në thelb, metaverse është krijuar mbi idenë e një versioni të botës, të bazuar në decentralizim dhe është një realitet ku të gjithë mund të zotërojnë asetet e tyre digjitale, të dhënat personale dhe identitetin. 

Blockchain është një sistem që qëndron i pavarur nga çdo autoritet qendror. Gjithkush që punon me blockchain në thelb zotëron një pjesë të tij. Pas këtij arsyetimi, ka një koncept të ri që është shfaqur në vitet e fundit: ideja e identitetit vetë-sovran (SSI).

SSI-të janë identitete digjitale të menaxhuara nga vetë përdoruesit, pa u mbështetur në ndonjë palë të tretë ofruese. Identiteti i tyre verifikohet duke përdorur kriptografinë me çelës publik, duke eliminuar nevojën për të ruajtur informacionin në një bazë të dhënash qendrore dhe duke i dhënë individit kontroll mbi informacionin që ata ruajnë dhe ndajnë

Ky nivel besimi i decentralizuar dhe i verifikuar ka krijuar idenë e një realiteti pa ligje, rregullore apo taksa që shtrihen përtej territoreve të shteteve. Tani për tani, qeveritë e botës reale janë shumë të kujdesshme për qasjen e tyre ndaj metaverses, dhe vetë metaversi nuk po ua bën më të lehtë të mendojnë për një mundësi qeverisëse. Do të jetë interesante mënyra e zhvillimit të rregullimit ligjor në të ardhmen. 

 

2. A ekziston një koncept i identitetit?

 

Identiteti vetë-sovran lehtëson realitetin për individët, të cilët mund të zgjedhin se si dëshirojnë të përfaqësohen në metaverse. Por ndryshe nga identiteti me të cilin përfaqësohemi në mediat sociale, ku ne ofrojmë informacion të verifikueshëm për ofruesit e shërbimeve që mbledhin, ruajnë dhe kontrollojnë të dhënat; në metaverse identitetet tona mund të jenë anonime.

Një individ përdor një avatar, ose një binjak digjital, i cili përkufizohet si një zgjatim i një personi dhe i tërësisë që ai përfaqëson në botën virtuale. Ekziston një fleksibilitet se si një përdorues zgjedh të përfaqësohet në Metaverse, pa u kufizuar në konceptet e racës, gjinisë, preferencës seksuale ose aftësisë fizike. 

Problematike mund të bëhen situatat kur një përdorues hyn në aktivitet të paligjshëm në metaverse, duke kryer krim kibernetik, ngacmim seksual dhe lloje të tjera të krimesh. Duke qenë se kjo është një fushë relativisht e parregulluar, mbetet në gatishmërinë e bizneseve me modele Metavers-i që të jenë të ndërgjegjshme për të raportuar, hartuar dhe ruajtur pronat për agjencitë ligjzbatuese.

Çfarë ndodh nëse doni të dukeni si David Beckham në Metaverse? 

 

Në botën reale njihen të drejtat e personalitetit. Kjo do të thotë se një person nuk mund të përvetësojë emrin ose ngjashmërinë e tjetrit për përfitime komerciale. E njëjta gjë vlen edhe në Metaverse. 

Një përdorues mund të zgjedhë të duket si një personalitet i famshëm, por ai nuk duhet ta përdorë këtë avatar për të reklamuar produkte ose për të përfituar nga një shkelje e paligjshme e identitetit dhe/ose vjedhjes së identitetit të një personi tjetër.

 

3. Pak apo shumë privatësi në Metaverse?

 

Mbledhja dhe përdorimi i informacionit personal ka qenë një problem për platformat e bazuara në web ose në celular, pasi ato kanë detyrimin të mbledhin një informacion minimal për një qëllim specifik ligjor, siç mund të jenë qëllimet e marketingut online.

Në Metaverse, synohet të shkohet drejt standardeve më të rrepta dhe transparente të privatësisë. Teknologjia blockchain ofron anonimitet dhe siguri, por nga ana tjetër, me rritjen e numrit të përdoruesve dhe implikimin e botës virtuale në atë reale, privatësia është një çështje që duhet parë me kujdes.

Te Legit, mund të gjeni avokatë të specializuar në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.  

 

4. A është Metaverse një treg mirë-rregulluar? Po i sigurt? I drejtë?

 

Metaverse ka një ekonomi funksionale të ngjashme me botën reale, ku njerëzit përdorin një monedhë për të kryer transaksione të mallrave dhe pronave. Këto transaksione kryhen duke përdorur kriptomonedhën, e njohur ndryshe si ‘monedha e metavers-it’.

Në Metaverse, përdoruesit mund të hyjnë edhe në marrëveshje kontraktuale. Kontratat mund të përfshijnë çdo gjë, nisur nga shitja e mallrave virtuale, e deri te marrja me qira e pronave virtuale. Nëse dy persona lidhin një kontratë në Metaverse, të dyja palët duhet të respektojnë kushtet e marrëveshjes. Nëse njëra palë nuk e bën këtë, pala tjetër mund të jetë në gjendje të padisë për shkelje të kontratës.

Shumë diskutime ligjore bëhen rreth NFT-ve (“non-fungible token”) – një koleksion digjital në një blockchain, me disa veçori. Për shembull, ndryshe nga një monedhë tjetër virtuale, ato konsiderohen si pasuri për përdoruesit. Një NFT mund të ekzistojë përgjithmonë në një blockchain, pasi krijimit, dhe njerëzit mund t’i aksesojnë të dhënat në çdo kohë, pa pasur nevojë për një autoritet të jashtëm që t’u konfirmojë pronësinë. 

Duke përdorur teknologjinë dhe “kontratat inteligjente“, NFT-të mund të tregtohen midis lojtarëve, lojërave, dhe botëve. Duke qënë se autoriteti është i decentralizuar – nuk ka një ekonomi qendrore për të detyruar zbatueshmërinë e kontratave. Për këtë arsye, kur të jetë e nevojshme, një person do të duhet të ngrejë një kërkesë në gjykatën e botës reale për çdo shkelje të kontratës.

 

5. A mbrohet jeta reale/prona intelektuale virtuale? Si?

 

NFT-të janë të rregulluara në Metaverse, por çfarë ndodh kur një vepër e botës reale riprodhohet, performohet, ekspozohet, shpërndahet ose merret me qira në platformën metaverse?

Ligjet e pronësisë intelektuale mbrojnë autorësinë e përmbajtjes së krijuar nga përdoruesit në Metaverse, si avatarët, ndërtesat virtuale dhe veprat e artit digjital. Megjithatë, keqpërdorimi i markave të botës reale si GUCCI ose Nike bie nën ligjet e pronësisë intelektuale

Nëse një avatar vjedh një çantë digjitale Gucci në metaverse, kjo do të konsiderohet si çështje që lidhet me të drejtat e pronësisë, ligjin penal dhe atë të pronësisë intelektuale. Nëse do të kemi të bëjmë me humbjen e parave ose prishjen e reputacionit të një personi ose kompanie të botës reale, ekziston mundësia që këto çështje të ngrihen përpara një gjykatë të botës reale.

Te Legit, mund të kontaktoni me një profesionit të pronësisë intelektuale. Mjafton të klikoni këtu.

 

A ka një fund diskutimi për Metaverse?

 

Epo…jo tamam! Vazhdon të ketë një pasiguri në lidhje me sundimin e ligjit në metaverse. Meqenëse ligjvënësi duhet të ndjeki ritmin e zhvilimit teknologjik, shtrirja e ligjeve të jetës reale në botën virtuale konceptohet si rruga e duhur, por pa ofruar një zbatim de facto të ligjit. Rrjedhimisht, bizneset duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me implikimet ligjore të ofrimit të një mjeti për të lehtësuar krimin dhe përdoruesit duhet të informohen se çfarë do të ishte veçanërisht problem me sjelljen e avatarit të tyre, nëse këta të fundit do të sjellin pasoja në botën reale. 

Për ta përmbyllur: Nuk do të ishte keq të telefononit Saulin (ose Legit) përpara se të ndërrmerni hapa në Metaverse.

 

**Sqarim: Ky artikull është publikuar më parë në qLegal, më 30 gusht 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020