Burime LigjoreProcesi i Rivlerësimit të Pasurive të Paluajtshme: Si të Përfitoni nga Afati i Ri

December 27, 20210

Data 30 prill 2022 është caktuar si afati i fundit për procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me taksë 3%. Në përfundim të këtij afati taksa e aplikueshme do të jetë 15%.

Nga ky afat i ri do të përfitojnë edhe kërkesat e atyre subjekteve që janë dorëzuar pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk kanë përfunduar brenda datës 30 prill 2022, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet para datës 31 korrik 2022.

Përfituesit

Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar, ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë brenda këtij afati, kanë të drejtë që të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.

Individët mund të zgjedhin që rivlerësimin ta bëjnë nga:

  • Një ekspert i licensuar, ose
  • Zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

 

Rivlerësimi nga një ekspert i licensuar

Akti i vlerësimit nga eksperti duhet t’i bashkëngjitet aplikimit të individit për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme.  

Më pas, përllogaritja e bazës së tatueshme dhe tatimit për regjistrimin e rivlerësimit që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim – bëhen nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, sipas vendit ku aplikoni.

Baza e tatueshme llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi, dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.

Baza e tatueshme nuk duhet të jetë më e vogël se çmimet minimale fiskale.  

 

Rivlerësimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës

 

Në këtë rast individi duhet ta specifikojë kërkesën për rivlerësim nga ASHK-ja në formularin që i bashkëlidhet aplikimit për rivlerësim.

Më pas, zyra përkatëse vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarit bazën e tatueshme dhe tatimin për regjistrimin e rivlerësimit.

Në këtë rast baza e tatueshme llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi

dhe çmimeve minimale fiskale në fuqi.

 

Pasuri të paluajtshme të rivlerësueshme

 

Sipas subjektit:

  • Të personave fizik, dhe 
  • Të personave juridik.

Sipas objektit:

  • Pasuri që janë në proces regjistrimi;
  • Pasuri të legalizuara; 
  • Pasuri të regjsitruara pa një kontratë shitjeje.

Nëse pasuria e paluajtshme është e regjistruar pa një kontratë shitjeje, si vlerë regjistrimi, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.

Në këtë rast, tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3% e bazës së tatueshme.

 

Aplikimi në e-Albania

 

Individi duhet të paguajë më parë:

  • Tatimin e rivlerësimit sa 3% e bazës së tatueshme, dhe 
  • Tarifën e shërbimit. 

Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.

Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar që pasqyron regjistrimin e rivlerësimit, ai duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme ose të vërtetimit (për pasuritë që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar).

Aplikimi për shërbimet i drejtohet zyrës vendore të ASHK-së që është kompetente për territorin ku gjendet pasuria e paluajtshme.

Individi që aplikon online për rivlerësimin e pasurisë duhet të plotësojë në rubrikat përkatëse të platformës e-Albania, të dhënat identifikuese të pasurisë që kërkohet të rivlerësohet. Nëse nuk plotëson rubrikat që identifikojnë pasurinë, duhet detyrimisht, të ngarkojë në platformë kopje të skanuar të dokumentit të pronësisë që disponon për pasurinë.

Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ASHK-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit tek “Dokumentet e mia” në e-Albania dhe informimit me e-mail për shkarkimin e përgjigjes elektronike.

Për shërbime për të cilat përllogaritet vlera e tatimit, taksës apo gjobës, fatura e plotë që duhet të paguhet do të dërgohet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës në seksionin ”Dokumentet e mia” tek hapësira e individit në portalin e-Albania dhe më pas mund të vijohet me kryerjen e pagesës nga ana e individit.

 

Hapat e procedurës

  • Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal
  • Zgjidhni shërbimin “Rivlerësimi i pasurisë”
  • Klikoni butonin “Përdor”
  • Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi pronën, shërbimin/shërbimet e kërkuara
  • Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit
  • Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën ose kryeni pagesën online përmes portalit e-Albania me një kartë debiti ose krediti
  • Punonjësi i ASHK-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-Albania, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit.

 

Të dhëna për vitin 2021

  • Janë kryer 56,623 aplikime për rivlerësimin e shtëpive
  • Për vetëm 58% të aplikimeve ka përfunduar procesi i rivlerësimit
  • Për 16,682 aplikime nuk është paguar tatimi prej 3% nga aplikuesit
  • Janë arkëtuar 3.6 mld lekë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020