BloguBurime LigjoreKontratat & TransaksionetProkura: 5 Këshilla për Përfaqësimin

July 8, 20220
http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2022/07/Autorizimi.png

“Aleksandri nuk bënte kurrë çfarë thoshte, Çezari nuk thoshte kurrë çfarë bënte.”

– Proverbë italiane

“I Përfaqësuari duhet të bëjë gjithmonë çfarë i thuhet!”
Legit

Aleksandri mund të mos ketë bërë kurrë çfarë thoshte, por Komandantët – në cilësinë e përfaqësuesve – vepronin gjithmonë sipas udhëzimeve të tij.

Përfaqësimi, si institut i së drejtës, i ka dhënë mundësinë palëve – përgjatë historisë – të kryejnë veprime juridike në emër dhe për llogari të njëra-tjetrës.

Në ditët e sotme janë të shumta veprimet që mund të kryejë Përfaqësuesi në emër dhe për llogari të të Përfaqësuarit, prandaj në këtë artikull të fundit të serisë “Për çdo problem ligji e ka një zgjidhje, ndërsa ne në Legit kemi dy” do t’i përgjigjemi pyetjeve:

  1. Çfarë është Prokura?
  2. Si të hartoj një Prokurë
Lexo këtu artikullin e parë të serisë: Një Statut për Regjistrimin dhe Platforma Legit.
Lexo këtu artikullin e dytë të serisë: Punonjësi u Largua Sot. Çfarë të Bëj?
Lexo këtu artikullin e tretë të serisë: Kontrata e Punës: Nëse Mund të Punësosh, Duhet të Kontraktosh
Lexo këtu artikullin e katërt të serisë: Letra e Kërkesës për Leje: Si të Kërkoj Pushime Vjetore?
Lexo këtu artikullin e pestë të serisë: Arti i të Bërit Biznes: 8 Arsye Pse të Duhet Një Plan Biznesi
Lexo këtu artikullin e gjashtë të serisë: Coca Cola, Sekreti Tregtar dhe Marrëveshja e Konfidencialitetit
Çfarë është Prokura?

 

Prokura është një dokument ligjor që i jepet një personi, në cilësinë e Përfaqësuesit për të vepruar në emër dhe për llogari të një personi tjetër – të Përfaqësuarit.

Jo domosdoshmërisht Përfaqësuesi duhet të ketë profesionin e  avokatit. Ai mund të jetë edhe një punonjës i kompanisë, bashkëpunëtor, anëtar i besuar i familjes ose një person i njohur.

 

Kur më duhet një Prokurë?

 

Prokura të duhet sa herë që ligjërisht të kërkohet të jesh prezent në një vend, ndërkohë që fizikisht je në një vend tjetër. (JO, ky nuk është rasti i metaverse.)

Për shembull: 

Aleksi ka hartuar një plan biznesi, sipas së cilit regjistrimin e sipërmarrjes në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) duhet ta bëjë në muajin korrik. Në po të njëjtën ditë që ai synon të aplikojë për regjistrimin e sipërmarrjes si person juridik, i duhet të mbrojë temën e diplomës në Itali. 

Kështu që, Aleksi vendos të hartojë një Prokurë ku përcakton se regjistrimi i sipërmarrjes do të kryhet nga avokati i tij, i cili më pas do të mbajë edhe pozicionin e Administratorit në shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k.).

Ky nuk është rasti i vetëm, pasi praktika njeh edhe situata të tjera përfaqësimi. Megjtihatë, këtu duhet të specifikojmë se disa veprime juridike mund të kryhen vetëm nëse Prokura noterizohet, ndërsa për veprime të tjera – mjafton një Prokurë e thjeshtë.

 

Cilat Prokura duhen noterizuar?

 

Prokura duhet të noterizohet kur ligji e kërkon shprehimisht këtë gjë. Prokura për kryerjen e veprimeve para gjykatave dhe institucioneve të tjera shtetërore duhet të bëhet me akt noterial, përveç kur me dispozita ligjore lejohet që të bëhet me shkresë të thjeshtë. Mosrespektimi i detyrimit ligjor, sjell pavlefshmërinë e veprimit të kryer.

Akti për kryerjen e veprimeve para gjykatave dhe institucioneve të tjera shtetërore duhet të bëhet me akt noterial, përveç kur me dispozita ligjore lejohet që të bëhet me shkresë të thjeshtë.

Akti në emër të personave juridikë publikë e privatë mund të bëhet edhe vetëm me nënshkrimin e drejtuesit të tij dhe me vulën përkatëse, përveç kur ligji kërkon që veprimi juridik të kryhet me akt noterial.

Prokurë e përpiluar me akt noterial:

  • Prokurë për depozitimin e kërkesës për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj në Shqipëri, e përkthyer dhe legalizuar te noteri
  • Prokurë për pjesmarrjen në një proces ankandi 
  • Prokurë për shitblerje apartamenti
  • Prokurë për kontrata me objekt kalimin e pronësisë së sendeve 
  • Prokurë për të drejtat e uzufruktit, enfiteozës, servitutit dhe të drejtave të tjera reale
  • Prokurë për kontrata garancie mbi përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata me veprime juridike
  • Prokurë për lidhjen e kontratës së pengut

Prokurë e thjeshtë (pa akt noterial):

  • Prokurë për përfaqësimin në proces gjyqësor
  • Prokurë bashkëngjitur kërkesëpadisë
  • Prokurë për depozitimin e rekursit në Gjykatën e Lartë
  • Prokurë për depozitimin e ankimit në Gjykatën e Apelit
  • Prokurë për paraqitjen e kërkesës për konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm dhe përshpejtimin e procedurave gjyqësore
  • Prokurëi për pjesmarrjen në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të shoqërive aksionere
  • Prokurë për përfaqësimin ligjor të shoqërive tregtare për çdo veprim gjyqësor apo jashtëgjyqësor
  • Prokurë për ndjekjen e veprimeve administrative dhe regjistrimin e akteve të Gjendjes Civile, si p.sh. denoncimin e humbjes së dokumenteve
  • Prokurë për ndjekjen e  procedurave për legalizimin e shtëpive (pranë ALUIZNI-t) ose të ngjashme me to
  • Prokurë për përdorim të përkohshëm automjeti dhe kryerjen e formaliteteve për qiradhënie të objekteve të banimit

 

Çfarë duhet të përmbajë një Prokurë?

 

Prokura duhet të përmbajë:

  • datën dhe vendin e lëshimit të dokumentit
  • kohëzgjatjen e përfaqësimit
  • gjeneralitetet e palëve
  • përshkrimin e tagrave të dhëna
  • nënshkrimet respektive
  • (dhe) vulën e personit  juridik (kur i Përfaqësuari është person juridik)

 

Kohëzgjatja

 

Kohëzgjatja e vlefshmërisë së Prokurës përcaktohet që në momentin e hartimit të saj. Kuptohet që për përcaktimin e kohëzgjatjes vendos i Përfaqësuari, pasi veprimet juridike që kryen Përfaqësuesi brenda tagreve që i janë dhënë, sjellin pasoja drejtpërdrejt për të Përfaqësuarin. 

I Përfaqësuari mund të specifikojë në prokurë edhe datën (ose datat) se kur Përfaqësuesi mund të kryejë veprime juridike në emër dhe për llogari të tij. Palët mund të vendosin edhe që Prokura të zbatohet pas datës së hartimit, nënshkrimit dhe/ose vulosjes nga palët.

 

Shfuqizimi

 

I Përfaqësuari mund ta shfuqizojë Prokurën në çdo kohë. Përfaqësuesi, gjithashtu, mund të heqë dorë në çdo kohë nga prokura. Çdo marrëveshje e kundërt është e pavlefshme. 

Në një rast të tillë, palët duhet ta vënë paraprakisht në dijeni njëra-tjetrën për dorëheqjen nga Prokura.

 

A mund të lëshoj Prokurë për më shumë se një person?

 

Po. Në rast se për të kryer një veprim juridik dëshiron të caktosh dy ose më shumë Përfaqësues, secili prej tyre mund ta kryejë veprimin juridik individualisht, sipas tagrave të përcaktuara, edhe pa pjesëmarrjen e Përfaqësuesve të tjerë. Në rast se në dokument është specifikuar mënyra se si do të veprojnë Përfaqësuesit atëherë do të veprohet sipas parashikimeve në Prokurë.

Duhet theksuar se Përfaqësuesi është i detyruar të veprojë personalisht. Ai nuk mund të emërojë zëvendës të tij, përveç rasteve kur:

  • Kjo gjë është lejuar nga i Përfaqësuari;
  • Pasuria që përmendet në Prokurë ndodhet jashtë territorit të rrethit ku banon i Përfaqësuari;
  • Caktimi i zëvendësit çmohet i nevojshëm për mbrojtjen e interesave të të Përfaqësuarit

Përfaqësuesi duhet ta njoftojë menjëherë të Përfaqësuarin nëse cakon një zëvendësues, përndryshe ai do të përgjigjet personalisht për veprimet e këtij të fundit.

 

Si të hartoj një Prokurë?

 

Te Legit ti mund të hartosh në 5 minuta dhe FALAS një Prokurë që garanton përmbushjen e nevojave të tua ligjore, në çdo kohë. 

Mjafton të ndjekësh këto hapa:

A e di se te Legit ti mund të hartosh të gjitha dokumentet e nevojshme ligjore për sipërmarrjen?

Libraria #legit:

Kontraktim të mbarë! 🙂

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020