BloguBurime LigjoreNdërrmarrësi & TregtiReforma në Drejtësi: Paditë me Shuma të Vogla

July 6, 20210

Në vitin 2014 në Shqipëri nisi odiseja e reformimit të sistemit të drejtësisë. Komisioni i Posaçëm Parlamentar, i krijuar për këtë qëllim, vlerësoi “Pushtetin Gjyqësor” si një nga shtatë shtyllat e Reformës. Strategjia ishte sa e përqëndruar, aq edhe sfiduese. Objektivi kryesor synonte krijimin e një sistemi drejtësie të besueshëm, të drejtë, të pavarur, profesional dhe të orientuar drejt shërbimit, të hapur, të përgjegjshëm dhe eficent. E gjithë kjo do t’i kthente publikut besimin në mirëfunksionimin e drejtësisë, e do të garantonte njëkohësisht – zhvillimin e vendit dhe shtimin  e përpjekjeve drejt integrimit evropian. Si rrjedhojë, u miratuan dhe amenduan disa paketa ligjore. Insititucione të rëndësishëme në vend pësuan gjithashtu ndryshime organizative.

Kodi i Proedurës Civile (KPC) është një prej akteve normative që pësoi më shumë ndryshime për shkak të Reformës. Ndryshimet e vitit 2017 nuk i ishin bërë që prej hyrjes së tij në fuqi – në vitin 1996. Parashikimet e reja u propozuan për dy arsye. Së pari, për t’i garantuar qytetarëve akses më të shpejt në drejtësi. Së dyti, për të përshpejtuar shyqrtimin e çështjeve në çdo Gjykatë të shkallës së parë apo apeli. Paditë me vlerë të vogël – risia e kësaj reforme – u panë si mjeti më efektiv për këtë qëllim. Këto padi, ndryshe nga gjykimi i padive të zakonshme, shqyrtohen me një procedurë të shkurtuar. (Neni 162/a, KPC).

Ideja fillestare parashikonte shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar për të gjitha ato padi, të ngritura nga një konlikt i lindur në marrëdhëniet kontraktore, të vlerësuara në kufi të shumës 150,000 Lekë. Megjithatë, nje projektligj i propozuar në Shkurt 2021 parashikoi një tjetër ndryshim. Pa u kufizuar në një shumë konkrete, të gjitha paditë me vlerë deri në njëzetfishin e pagës minimale në shkallë vendi, që rrjedhin nga një marrëdhënie kontraktore, do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar. Ky ndryshim i shërben Reformës në tërësi, dhe lehtëson në vecanti punën e gjykatës. Edhe nëse paga minimale në vend ndryshon me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), çdo padi e llogaritur në njëzetfishin e saj – do të konsiderohet “në vlerë të vogël”. Si rrjedhojë, dosjet në shqyrtim në dyert e gjykatave do të ndjekin ritmin që synon Reforma.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile u bazuan – ndër të tjera – në praktikën e ndjekur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për atë që cilësohet si “e drejta për nje proces të rregullt ligjor. Kjo garanci parashikohet në nenin 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Praktika e KEDNJ e konsideron të drejtën për të ngritur një padi si një nga principet universale të ligjit. Si e tillë, shkelet aq herë sa ligjet e brendshme të shteteve nënshkruese vendosin barriera ndaj mirëadministrimit të drejtësisë apo sigurisë juridike.

Procedura e përshpejtuar parashikohet që në zanafillën e procesit. Tërësia e provave dhe pretendimet e palëve i paraqiten Gjykatës me shkrim (Neni 172, KPrC). Kjo e fundit ruan në diskrecionin e vetë që të realizojë séancë verbale vetëm në rastet kur vlerëson se është me rëndësi për çeshtjen. Në të kundërt, Gjykata vazhdon shqyrtimin mbi dokumentacionin shkresor (Neni 285/a, KPC).

 

Të njëjtën linjë ndjekin pyetjet e dëshmimtarëve dhe shpjegimet përfundimtare të palëve. Gjykata vlerëson rast pas rasti nëse dëshmitë apo përmbledhjet do të merren me shkrim, videokonferencë, apo me forma alternative të komunikimit në distance (Neni 236/a; Neni 285/a KPC).

 

Një tjetër element i diktuar nga Reforma është dhënia e vendimit përfundimtar për këto lloj padish. Vendimi i Gjykatës për paditë me vlerë të vogël përmban vetëm hyrjen dhe pjesën urdhëruese, ndryshe nga vendimet që jepen për cdo padi tjetër, ku parashikohet edhe pjesa arsyetuese e vendimit. Nëse është në interest të palëve që ky vendim i përshpejtuar të ekzekutohet, pjesa arsyetuese nuk zbardhet. E kundërta ndodh nëse njëra prej tyre vendos t’a apelojë vendimin. Në këtë rast, Gjykata vihet në dijeni me shkrim nga pala e interesuar brenda tri ditëve. Më pas, vendimi ku arsyetohen rrethanat e cështjes, provat, baza ligjore, pretendimet e palëve dhe bindja e brendshme e gjykatës – i njoftohet palëve (Neni 310, KPC). Pas këtij momenti, të interesuarit mund të vijojnë me apelimin e çështjes në Gjykatën e Apelit.

 

Lehtësira të tjera proceduriale janë parashikuar edhe për shqyrtimin në Apel. Rregulli klasik ka qënë që Apeli shqyrton ankimet me tre gjyqtarë. Tashmë, për këto padi është një gjyqtar i vetëm që i shqyrton dhe merr vendim (Neni 35, KPC). Vlen të theksohet se propozimet për ndryshimin e këtij neni u kundërshtuan nga Presidentit i Republikës.[9] Në Dekretin Presidencial, ndër të tjera, shprehej nevoja e marrjes së vendimeve në trup gjyqësor sepse rritet në mënyrë të dukshme profesionalizimi, garantohet më shumë paanshmërina, dhe ofrohet një standard më i lartë i drejtësisë. Megjithatë, Kuvendi e rrëzoi Dekretin si të pabazuar në Kushtetutë.[10] Kodi i Ri i Procedurës Civile, me të gjitha amendimet përkatëse, është në fuqi që prej muajit Mars te këtij viti.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

http://blog.legit.al/wp-content/uploads/2020/12/logit-white-red-icon.png
Tirana, Albania & Pristina, Kosovo
+ 355 69 634 0059
info@legit.al

Follow us:

STAY INFORMED

Subscribe


Legit.al. Calls may be recorded for quality and training purposes.

Copyright © Legit 2020