Një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (SHPK) është forma më e zakonshme ligjore e kryerjes së biznesit në Shqipëri. SHPK-ja është një person juridik. Kjo shoqëri mund të themelohet nga një ose më shumë individë ose persona juridikë. Normalisht, ortakët janë përgjegjës për detyrimet e shoqrisë deri në masën e kontributit të tyre në kapital.
Për të krijuar një SHPK në Shqipëri, kapitali minimal është 100 Lekë ose përafërsisht 1 Euro. Kontributet në kapitalin e shoqërisë mund të jenë në para ose në natyrë. Pagesa e kapitalit nuk kërkohet në momentin e themelimit dhe regjistrimit të një SHPK në Regjistrin Tregtar të mbajtur nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB). Një SHPK nuk mund të ofrojë kuotat e saj për shitje për publikun.
Shoqëria drejtohet nga administratori(ët), i cili emërohet nga Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve për një periudhë jo më shumë se 5 vjet, me të drejtë rinovimi. Nuk ka kufizime për shtetësinë apo për numrin e administratorëve që mund të emërohen nga Asambleja e Përgjithshme. Megjithatë, vetëm individët (personat fizikë) mund të emërohen si administratorë të SHPK.