dua folje kalimtare;
- kam një ndjenjë dashurie, miqësie e dhembshurie për dikë a për diçka, e kam të shtrenjtë a të vyer;
- më pëlqen shumë diçka e kam dëshirë të merrem me të; dëshiroj të kem diçka që më mungon ose që më pëlqen; kam nevojë të madhe për dikë a për diçka;
- dua të kem shtetësinë shqiptare!
Dua Lipa është ligjërisht shqiptare!
Më 27 nëntor 2022, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z.Bajram Begaj i dha Dua Lipës shtetësinë shqiptare.
Nëse e ke pyetur veten “Po si është e mundur?!”, të ftojmë të vendosësh këngën e preferuar nga repertori i saj, pa u rehatuar shumë, se do t’i biem fare shkurt!
Ka 5 mënyra se si fitohet shtetësia shqiptare:
- Me lindje
- Me origjinë
- Me lindje në territorin shqiptar
- Natyralizim
- Birësim
Si e fitoi Dua Lipa, shtetësinë shqiptare?
Me natyralizim.
Ligjërisht, Dua plotësoi kriteret e nenit 9, të ligjit Nr. 113/2020 “Për shtetësinë”, sipas të cilit parashikohen raste të veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare nga shtetasit e huaj.
Dua Lipa cilësohej e huaj për ne?!
Po?! Pavarësisht atdhedashurisë, Dua Lipa, për aq kohë sa nuk kishte shtetësinë shqiptare, juridikisht cilësohej si “shtetase e huaj” në Republikën e Shqipërisë.
Qartë!
Pra, çdokush mund ta fitojë shtetësinë shqiptare me natyralizim?
Në fakt, jo tamam! Ka disa kushte që shtetasi i huaj duhet të përmbushi për të fituar nënshtetësinë shqiptare, ndërsa rasti i Dua Lipës përbën atë që quhet “përjashtim nga rregulli”.
Fitimi i shtetësisë shqiptare me natyralizim
Shtetësia shqiptare fitohet me natyralizim nga i huaji nëse:
- Ka mbushur 18 vjec
- Ka zotësi juridike për të vepruar
- Qëndron në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme prej jo më pak se 7 vitesh në Shqipëri
- Ka banesë në Shqipëri
- Nuk ka qenë i dënuar
- Zotëron njohuri të gjuhës shqipe
- Nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare
Këto kushte duhen përmbushur në mënyrë kumulative. Dukshëm që Dua nuk jeton prej 7-vitesh, e në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri. Kështu që, si ja bëri?
Epo ja, pa një hapësirë në ligj, dhe e shfrytëzoi!
Ka raste kur, pavarësisht se një i huaj nuk i përmbush të gjitha kushtet për fitimin e shtetësisë shqiptare, kjo e fundit mund t’i garantohet për shkak të kontributit të këti personi në art e kulturë.
Pra, e thënë shkurt fare: Dua Lipa e fitoi shtetësinë shqiptare me artin e saj!
Urime Dua! Tashmë je një prej nesh!