Në vitin 2019, Taylor Swift njoftoi ri- regjistrimin e albumeve të saj të vjetër. Deri më tani janë publikuar disa prej këngëve me të cilat, në fakt, publiku është i njohur. Përse ju desh pra, ta bëntë të gjithë këtë nga e para? Për shkak të të drejtave të lidhura me të drejtën e autorit.
Çfarë janë të drejtat e lidhura?
Deri më tani, në Legit ka disa postime mbi mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe atë të markës tregtare. Duke u lexuar së bashku, ato formojnë bazat e Pronësisë Intelektuale. Një tjetër lloj i veçantë në kategorinë e të drejtave mbrojtura nga ligji për të drejtën e autorit, janë të drejtat e lidhura. Këto të fundit njihen edhe si ‘të drejta fqinje me të drejtën e autorit’, megjithatë terminologjia është ajo që ka më pak rëndësi.
Duke qënë se autori/ja ka të drejta pasurore ekskluzive mbi punën e tij/saj, ai/ ajo mund të ndalojë ose të autorizojë të tjerë për këto veprime:
- Të kopjojë punën
- Të riprodhojë punën
- Të shpërndajë punën
- Të transmetojë punën
- Ta komunikojë punën te publiku
- Të krijojë punë të prejardhura prej punës origjinale.
Personi i autorizuar është mbajtës i të drejtave të lidhura me të drejtën e autorit. Ai/ ajo gëzon mbi punen e vetë, të njëjtën mbrojtje që gëzon autori/ja mbi punën e tij/saj. Për shembull, kur një novelë përshtatet në një film, personi që ka të drejtat e autorit mbi novelën, duhet që me anë të një autorizimi të lejojë studion filmike të adoptojë përmbajtjen në një skenar. Të drejtën e autorit mbi veprën e përshtatur (si skenar) e ka studioja filmike.
Me pak fjalë, të drejtat e lidhura i takojnë personit i cili, me anë të mjeteve të ndryshme të komunikimit sjell të publiku veprën e mbrojtur nga e drejta e autorit. Këta individë mund të jenë performuesit, prodhuesit e regjistrimeve zanore dhe kompanitë e transmetimit. Të gjitha përpjekjet morale dhe monetare të tyre, gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare nga Konventa të ndryshme:
- Konventa e Romës për Mbrojtjen e Performuesve, Prodhuesve të Fonogrameve dhe Kompanive të Transmetimit.
- Traktati i Organizatës Botërore për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale për Performancat dhe Fonogramet
- Traktati i Pekinit mbi Performancat Audiovizive
- Marrëveshja për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale
Ligji shqiptar mbi të drejtën e autorit i ka parashikuar këto të drejta vetëm në një ligj. Juridiksone të ndryshme mund të ndjekin shembullin ndërkombëtar për të krijuar ligje të posaçme për secilën të drejtë.
Zotërimi i së drejtës së lidhur ndaj të drejtës së autorit
- E drejta e performimit i takon çdo personi që përdor aftesitë artistike dhe teknike për të sjellë një vepër te publiku. Kjo mund të jetë një dramë e luajtur në teatër, një simfoni e luajtur në një orkestër simfonike, apo një këngë e Taylor Swift që dëgjohet në një qëndër tregtare.
- Të drejtat e transmetimit i përkasin çdo personi ose kompanie që ofron një vepër (në zë dhe në figurë) për publikun, duke përdorur radion, televizionin, internetin ose satelitin. Personat ose ndërmarrjet e tilla kontrollojnë transmetimin dhe ritransmetimin e një vepre të mbrojtur nga e drejta e autorit.
- Prodhuesit e regjistrimit të zërit kanë një interes të dyfishtë mbi të drejtat e tyre, pasi ata investohen si artistikisht ashtu edhe monetarisht për të sjellë një vepër në publik. Regjistrimi origjinal i një kënge kërkon jo vetëm pajisjet e përshtatshme për të rregulluar tingullin në fonogram, por edhe aftësitë teknike për ta ndërlidhur atë me tekstin.
Një regjistrim zëri i mbrojtur ligjërisht mund të ndeshet me shkronjën ‘P’ të mbyllur në një rreth – ℗. Ashtu sikurse haset një vepër e mbrojtur nga e drejta e autorit me shkronjën ‘C’ të mbyllur në një rret – ©. Në industrinë e muzikës, kjo e drejtë i takon zakonisht studios së regjistrimit.
Taylor Swift, për shembull, mund të ketë qënë autore apo bashkë- autore në disa prej këngëve të saj, por studioja e regjistrimit që e kishte nën menaxhim (përpara vitit 2019) gëzonte të drejtën e regjistrimit të zërit në të gjashtë albumet e saj. Tailor nuk kishtë të drejtë të ndalonte apo autorizonte platforma në internet që t’i shpërndanin këngët apo performancat e saj pa një autorizim nga studioja. Meqënëse të drejtat e lidhura janë të ndara nga e drejta e autorit, dhe mbajtësi/ ja e të drejtës së autorit është një person i ndryshëm nga mbajtësi i së drejtës së regjistrimit, Taylor Swift shfrytëzoi të drejtën e autorit për të regjistruar edhe një herë albumet.
Nga të drejtat e lidhura nuk përfitojnë vetëm mbajtësit e tyre, por mbështetet gjithashtu zhvillimi teknologjik. Përparimi i shkencës dhe teknologjisë duhen shoqëruar nga një kornizë e përshtatshme ligjore, në mënyrë që të mbrohet çdo krijim i pronës intelektuale vendosur në internet.
Platformat e mëdha, të tilla si Netflix, po e bëjnë këtë gjë përkundrejt pagesave mujore, megjithatë pirateria ekziston ende. Sidoqoftë, ky është një tregues progresiv mbi përpjekjet morale dhe ligjore për ndërtimin e një hapësire më të sigurt që kompanitë të sjellin produktin e tyre në internet.