Edicioni i gjashtë i Shkollës së Integrimit Europian do të zhvillohet online në datat 1-15 Nëntor 2021. Përgjatë këtyre dy javëve do të ofrohet një program i plotë teorik dhe praktik mbi:
- Zhvillimet dhe sfidat më të fundit në Bashkimin Europian
- Bashkëpunimin rajonal dhe zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor
- Negociatat e anëtarësimit
- Rëndësinë e gjithëpërfshirjes në suksesin e procesit të anëtarësimit në BE
Gjatë Shkollës së Integrimit Europian do të përdoret një shumëllojshmëri e metodave të mësimdhënies dhe të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, dhe diskutime ndërvepruese me profesorë të njohur, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për integrimin europian dhe Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, Shkolla e Integrimit Europian do të përfshijë seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, institucionet e Bashkimit Europian dhe institucionet rajonale, të cilët do të diskutojnë me pjesëmarrësit mbi të ardhmen e Bashkimit Europian si dhe sfidat dhe skenarët e mundshëm në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.
Kush mund të aplikojë?
- Nëpunës të administratës publike shqiptare (duke përfshirë edhe ata nga vetëqeverisja vendore dhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e integrimit europian, të cilët synojnë të angazhohen në procesin e negociatave
- Studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jo-fitimprurëse
- Gazetarë dhe përfaqësues të medias
- Përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe grupe të tjera interesi
Aplikantët duhet të kenë nivel të mirë të gjuhës angleze sepse shumica e seancave do të zhvillohet vetëm në anglisht.
Regjistrimi:
Pjesëmarrësit e interesuar janë të lutur të dërgojnë brenda datës 15.10.2021, një CV dhe një letër motivimi ku të shprehin vizionin mbi angazhimin dhe kontributin potencial të tyre në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, dhe miratimin e eprorit për pjesëmarrjen në Shkollën e Integrimit Europian.
Aplikimi duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën Info.Kkie@parlament.al.