Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në Vendin e Punës: Një Ditë Pune në të Ardhmen


Pandemia (ndoshta) na ndryshoi përqasjen ndaj teknologjisë, e sot, gjithmonë e më shumë, Inteligjenca Artificiale po na ofron mënyra alternative të punuari e jetuari. 

Çfarë është inteligjenca artificiale?

 

Inteligjenca artificiale (AI) është një term gjithëpërfshirës që i referohet stimulimit të  proceseve të inteligjencës njerëzore nga sistemet kompjuterike.  

Termi “artificial” në togëfjalëshin “inteligjencë artificiale” vjen nga “inteligjenca” si veçori e natyrës njerëzore, dhe “artificiale” si formë e jashtme krijimi. 

Ronald Ashri, autori i librit “Inteligjenca Artificiale në Vendin e Punës”, e krahason procesin e të kuptuarit të Inteligjencës Artificiale me të përgatiturin e një filxhani kafeje.

“Le të themi se duam të përgatisim një filxhan kafeje. Mendoni sikur do ta bëni këtë proces në shtëpinë e një të huaji. Pasi ju lejojnë të hyni brenda, ju filloni të skanoni dhomat për të kuptuar se ku mund të jetë kuzhina. Eksperienca ju thotë se kuzhina zakonisht ndodhet në katin e parë dhe në pjesën e pasme të shtëpisë. Në çdo rast, ju e njihni një kuzhinë sapo e shihni, apo jo?! 

Më pas shikoni përreth për një makinë kafeje. Për të ju duhet kafe e bluar, kokërr apo e gatshme? Aparati është i stilit italian apo francez?Ku është uji? Ku i mbajnë filxhanët? Po lugët? Sheqerin? Kremin? Qumështin? 

Të gjitha këto pyetje na  vijnë natyrshëm dhe i proçesojmë po me të njëjtën lehtësi.”

Skenari i përgatitjes së kafesë është krijuar si një test për të kuptuar nëse inteligjenca artificiale e përdorur në pajisjet teknologjike i afrohet sadopak inteligjencës së nivelit njerëzor.

  

Digjitalizimi në vendin e punës

  

Digjitalizimi i vendit të punës mundësohet nga tërësia e mjeteve digjitale që përdorin njerëzit për të kryer punën e tyre. Duke nisur nga sistemet që përdorin drejtuesit e burimeve njerëzore, te sistemet e postës elektronike, ndarja dhe menaxhimi i dokumenteve, sistemet e raportimit, laptopët, telefonat, etj. 

Përdorimi i mjeteve digjitale në mjedisin fizik të punës na e bën më të thjeshtë të qëndruarit të fokusuar në vizionin dhe misionin e sipërmarrjes.

 

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në vendin e punës 

 

Nëse do të digjitalizosh vendin e punës, duhet t’ja nisësh me të paturit e përqasjes së duhur!

Mendoje sikur të duhet të ndërtosh një vend të ri (fizik) për punonjësit e tu, dhe drejtoji vetes disa pyetje. Fillimisht: ku do të jetë vendndodhja? Vendodhja është një komponent shumë i rëndësishëm pasi përcakton mënyrën se si do të sillen njerëzit. Për shembull, është ndryshe t’i kesh zyrat në Tropojë, në natyrë e ajër të pastër; e ndryshe në Tiranë – që njihet si qendra e inovacionit, startup-eve dhe sipërmarrjes. 

Ndërsa të vepruarit dhe punuarit në hapësirën digjitale të mundëson zgjerimin e mundësive.

 

Pyetjet që duhet t’i bëni vetes kur punoni në hapësira digjitale:

 

  • Si do t’i mbështesë vendodhja njerëzit që punojnë për ty?
  • Çfarë përvoje kanë njerëzit kur hyjnë në zyrat tuaja?
  • Çfarë thotë për sipërmarrjen tuaj dhe cilat janë qëllimet tuaja për të?

Në botën reale, sipërmarrësit i kushtojnë shumë rëndësi formës dhe pamjes së jashtme të ndërtesave – pasi është ndërveprimi i parë që njerëzit kanë me sipërmarrjen e tyre. Rrjedhimisht, ata investojnë për ta bërë vendin e punës sa më tërheqës vizualisht. Megjithatë, gjithmonë e më shumë, njerëzit ndërveprojnë më shumë me faqen tuaj të internetit, sesa zyrën prej ku punoni. Prandaj, ndoshta duhet të kujdeseni më shumë për prezencën tuaj online (në internet).

Mendojeni përmirësimin e prezencës online si kryerjen e të njëjtit proces pune që keni bërë me arredimin e zyrave fizike. Pra, keni kontaktuar një arkitekt, keni diskutuar me të qëllimet dhe misionin e organizatës dhe vlerat që doni të përcillni përmes dukjes. Të njëjtën gjë duhet të bëni edhe me faqen e internetit, veçse me një zhvillues faqesh interneti. 

Duke kuptuar nevojat e hapësirës digjitale të punës, do ta keni më të lehtë implementimin e inteligjencës artificiale. Ka disa komponentë që duhet të konsideroni nëse doni të krijoni një mjedis digjital eficent: 

 

  1. Njerëzit dhe ekipet – Duhet të keni një ide të qartë rreth:
  • Njerëzve të tu
  • Mjedisit prej ku punojnë
  • Punëve që kryejnë
  • Aftësive të tyre
  • Njohurive të tyre
  • Mënyrës si punojnë
  • Perspektivës së punës
  1.   Eksplorimi i të dhënave personale
  • A mund të kërkosh për njerëz bazuar në fushën e tyre të ekspertizës?
  • A ekziston një mënyrë e kërkimit të njerëzve vetëm duke specifikuar aftësitë që duhet të ketë personi që po kërkoni? 
  1.   Proceset: Krijoni një hartë të të gjitha proceseve 
  • Çfarë të dhënash kërkohen në çdo fazë?
  • Kush janë njerëzit e përfshirë? 
  • Si do të ndërlidhet informacioni? 
  1. Përpilo një manual për proceset: Manuali i kompanisë është një dokument i shkruar që i vjen në ndihmë secilit punonjës për të kuptuar kulturën dhe proceset e punës. Ky manual mund të përmbajë informacion rreth mënyrës se si mund të kërkosh pushime, mundësive për trajnime ose zhvillim personal, dhe mund të përmbajë, me një gjuhë të thjeshtë, të gjitha proceset për t’i arritur të gjitha këto.
  1. Mjetet: Mund të jetë më eficente të përdorni mjete që janë specifike të fushës tuaj, dhe më pas të përdorni mjete me funksionalitet të përgjithshëm. 

 

Destinacioni tjetër: Inteligjenca Artificiale në vendin e punës

 

Hapësira digjitale duhet të jetë një reflektim i kulturës dhe vlerave të punës së sipërmarrjes tuaj.  Duke kuptuar mënyrën si dhe pse veproni, do ta keni më të thjeshtë të bëni ndryshime, sipas nevojës.

Përdorimi i inteligjencës artificiale është transformues. Automatizimi i proceseve ofron mundësi për kryerjen e punëve më thjeshtë, me më pak kosto dhe i jep largpamësi biznesit. Nëpërmjet tij mund të jeni inovatorë dhe të zbuloni strategji të reja biznesi. 

Pavarësisht se bashkë me aplikimin e teknologjive të reja vjen edhe rreziku apo mundësia që gjërat të mos shkojnë sipas planeve fillestare, ju duhet të jeni gjithmonë fleksibël për t’ju përshtatur çdo të papriture.

 

Rast studimor: LEGIT

 

Legit, si e para kompani e teknologjisë ligjore në Shqipëri e ka marrë shumë seriozisht digjitalizimin e proceseve të punës. 

Ne e përdorim inteligjencën artificiale për të ofruar produktet dhe shërbimet tona në Platformën Legit, e njëkohësisht për të kuptuar nevojat e njëri-tjerit (si ekip) përgjatë proceseve të punës. 

  1. Njerëzit dhe ekipet: Ne kemi një ide të qartë se cilët janë dhe çfarë bëjnë njerëzit tanë. Prandaj këtë muaj kemi vendosur t’i prezantojmë edhe me ju. (: 
  1. Eksplorimi i të dhënave personale: Punonjësit tanë kanë firmosur që prej fillimit një marrëveshje të procesimit të të dhënave personale. Ndërsa  të dhënat e përdoruesve të platformës ruhen dhe përpunohen në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi. 
  1. Proceset: Ne përdorim disa softuerë për të menaxhuar proceset e punës. Ndër to, i preferuari ynë është Jira. 
  1. Manual Legit: Çdo anëtar i ri #legit njihet me manualin e kompanisë në momentin që bëhet pjesë e jona. Kemi zbuluar se ky manual orienton më mirë dhe rrit eficencën në punë.
  1. Mjetet: Ne do t’i kushtojmë një blog tjetër mjeteve që përdorim për Legit – pasi organizata të ndryshme duhet të gjejnë mjetet e duhura që ato të kuptojnë se çfarë funksionon (ose nuk funksionon për to).

Në fund, kini parasysh se qëllimi kryesor i përdorimit të inteligjencës artificiale është thjeshtimi i proceseve të punës.  Në një kohë kur gjithçka po automatizohet, ne duhet të reflektojmë rreth gjërave që kanë vërtet rëndësi, si për shembull të pasurit në ekip njerëz që udhëhiqen nga të njëjtat vlera dhe kanë të njëjtin qëllim me kompaninë. 

Për të tjerat mendon inteligjenca artificiale. Ose Legit! 😉 

Mjafton të regjistroheni si përdorues këtu!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *