Kushtet e Kontratave


Kur palet vendosin të lidhin një kontratë , duhet të bien dakord edhe për kushtet e saj. Kushtet e kontratave kategorizohen si:

  1. kushte thelbësore ,
  2. kushte të zakonshme, dhe 
  3. kushte rastësore 

 

  1. Kushtet Thelbësore

 

Kushtet thelbësore janë ato kushte të cilat janë absolutisht të domosdoshme dhe të kërkueshme për lidhjen e një kontrate. Kontrata quhet e lidhur kur palët janë marrë vesh për kushtet thelbësore që janë të domosdoshme për lidhjen e saj. Mungesa, qoftë edhe e njërit prej tyre, e ben kontratën të pavlefshme. 

Kushtet thelbësore parashikohen në dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me kontratat e veçanta. Kushte thelbësore mund të jenë edhe ato që ndonëse nuk parashikohen nga ligji, arrihen me marrëveshje të palëve. I tillë do të konsiderohet një kusht me natyrë pezulluese apo shuese, që parashikohet nga palët rëndësishëm për fatin e kontratës, ku nëse ai nuk përmbushet, kontrata zgjidhet.

Një kusht thelbësor universal që takohet në çdo kontratë është objekti. Pa objekt nuk mund të ketë kontratë, sepse ai është një nga elementet e saj. 

Në kontrata të caktuara, kusht thelbësor mund të jetë edhe çmimi dhe afati. Për shembull , te kontrata e shitjes apo e qirasë shpërblimi, çmimi apo qiraja është kusht thelbësor, sepse shitje pa çmim nuk ka, kontratë qiraje pa qira nuk ka. 

 

2. Kushtet e Zakonshme

 

Kushte të zakonshme të kontratës konsiderohen ato kushte që ndeshen në lloje të caktuara kontratash . Këto kushte parashikohen me norma juridike lejuese ose dispozitive. Edhe nëse palët nuk i kanë përmendur në marrëveshjen e tyre, mungesa e tyre nuk e bën kontratën të pavlefshme. 

Mungesa e kushteve të zakonshme në kontratë nuk sjell pasoja negative për palët, pasi këto lloj kushtesh konsiderohen të mirëqëna, sepse parashikohen ligji. Këto kushte kanë gjithmonë natyrë ligjore përsa i përket rregullit të zakonshëm që sanksionojnë.

 

3. Kushtet Rastësore

 

Kushte të rastit quhen ato kushte që nuk janë as të zakonshme, as thelbësore, por gjenden në kontratë, sepse e kanë parashikuar palët. 

Kushte të rastit mund të jenë për shembull: 

  • kushti që përcakton një afat në një kontratë të huasë; 
  • kushti i riblerjes në një kontratë shitje, ku palët bien dakort që në rast se blerësi do ta shesë në të ardhmen sendin, atëherë shitësi preferohet si blerësi i saj;
  • përcaktimi i preferencës së qiramarrësit nëse pronari do ta rijapë përsëri sendin me qira;
  • kushti i mbajtjes së sendit me qira nga shitësi pas kalimit të pronësisë tek blerësi;
  • kushti i montimit dhe instalimit të sendit nga shitësi pas shitblerjes; 
  • kushti i transportimit të sendit të blerë nga shitësi;
  • kushti i shitjes së një sendi pa pasur blerësi të drejtën ta rishesë, përsa kohë që shitësi është gjallë;
  • kushti i dhurimit të një sendi, pa pasur përfituesi të drejtë ta shesë, por vetëm të kalojë pronësinë me trashëgimi ligjore;
  • kushti që të marrësh një send me qira dhe qiramarrësi të preferohet si blerës i parë, në rast se shitësi dëshiron ta shesë sendin , gjatë vazhdimit të qirasë;
  • kushti që në rast të zgjidhjes para kohe të kontratës secila nga palët që do të ushtrojë këtë të drejtë do t’i paguajë palës tjetër një penalitet; 
  • kushti për legjislacionin kompetent të ndryshëm nga vendi ku lidhet kontrata; 
  • kushti për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me arbitrazh ndërkombëtar apo vendas, etj.

 

Si t’i dalloj këto kushte në një dokument që hartoj te Legit?

 

Ky artikull ka qëllim edukimin ligjor të lexuesve tanë. Kushdo që ka nevojë për një kontratë nuk duhet që domosdoshmërisht të ketë formim ligjor. 

E përsëri, ne duam që t’i përgjigjemi të gjitha nevojave tuaja, prandaj çdo kontratë apo dokument ligjor që ju hartoni te platforma Legit ka informacion shterues. Këtë informacion ju e merrni në seksionin Dokumente ligjore dhe/ose gjatë hartimit të secilit dokument, si koment shoqërues krahas pyetjeve që ju drejtojmë për gjenerimin e kontratës.  

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *