Marka Tregtare, Simbolet ™ v. ® dhe Elementë të Tjerë të Pronësisë Intelektuale


Studiuesit e ligjit nuk i kontrollojnë etiketat e rrobave për të parë gradën e këshillueshme të larjes në lavatriçce. Kusho që ka studiuar pak (ose shumë) pronësi intelektuale, pasi kërkimit në brendësi të teshave për një shenjë TM ose ®, përfundon duke thënë “Aha, e dija!”

Zakonisht, këtë pasthirrmë nuk e kupton asnjë nga familja e tyre, por edhe këtyre të fundit, ashtu sikurse ty, me drejtë mund t’u lindë pyetja “Po këto të dyja ku ndryshojnë?”. 

E mira është që jeni në vendin e duhur për të marrë përgjigje! (Rehatohuni!)

 

Prelud

 

TM dhe (R) janë simbole universale që tregojnë nëse një produkt ose shërbim është markë tregtare. Megjithëse marka tregtare ka vetëm një qëllim, që është identifikimi i produkteve dhe/ose shërbimeve të një sipërmarrjeje nga produktet dhe/ose shërbimet e një sipërmarrjeje tjetër, TM dhe (R) kanë midis tyre ndryshime ligjore dhe kohore. 

 

Po marka tregtare çfarë është?

 

Marka tregtare shërben për të treguar dhe garantuar cilësinë e produkteve dhe shërbimeve të ofruara. Prandaj konsiderohet si mjet komunikimi që përdorin prodhuesit për të informuar dhe tërhequr konsumatorët.

 

TM

 

TM është anagramë për trade mark (lexo shqip: marka tregtare). Për shembull, nëse lexoni këtë simbol në një etiketë bluze, duhet të dini se sipërmarrja që e ka prodhuar pretendon të drejtat e pronësisë intelektuale mbi simbolin/logon e stampuar në bluzë. Pavarësisht se kjo sipërmarrje mund të mos e ketë regjistruar ende ligjërisht markën tregtare, ekzistojnë 2 skenare:

  • Është në proces regjistrimi të markës tregtare, ose
  • Ka si qëllim ta regjistrojë markën tregtare në të ardhmen 

Në të dyja rastet, sipërmarrje të tjera që ofrojnë produkte të ngjashme, duhet ta marrin simbolin TM si sinjal për të mos krijuar logo të ngjashme për produktet e tyre. 

 

Megjithatë, pavarësisht se sa e mirënjohur mund të jetë një markë, apo sa të preferuara mund të jenë për publikun produktet e një sipërmarrjeje, ne këshillojmë që për ruajtjen e pozitës konkurruese në treg – në vecanti – dhe për t’i evituar biznesit kosto gjyqësore – në përgjithësi – ju duhet ta regjistroni markën tregtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI).

 

(R)
 

R-ja brenda kllapave është tregues i markave tregtare të regjistruara. Kjo do të thotë se të drejtat mbi markën tregtare i takojnë vetëm regjistruesit ose mbajtësit të licensave (të dhëna nga regjistruesi i markës).

 

Për t’a përmbledhur:

 

  • TM = Marka tregtare nuk është e regjistruar. Shenajt/simbolet e përdorura tregojnë origjinën e produktit (sipërmarrjen prodhuese).
  • ® = Markë tregtare e regjistruar. Sipërmarrja ka të drejta ekskluzive mbi markën.

 

Të drejtat mbi markën tregtare

 

E drejta ekskluzive për markat tregtare fitohet nëpërmjet regjistrimit të tyre në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI).

 

Regjistrimi i markës tregtare kalon në disa faza:

 

  1. Kërkesa për regjistrim
  2. Publikim i aplikimit për regjistrimin e markës (3 muaj pas bërjes së kërkesës)
  3. Pagesa e tarifës së regjistrimit (3 muaj pas publikimit të aplikimit për regjistrim)
  4. Regjistrim i markës dhe lëshim i certifikatës së regjistrimit (3 muaj nga kryerja e pagesës)

Po, edhe ne na kujtoi librin “100 vjet vetmi” të Markezit e gjithë kjo periudhë e regjistrimit të markës. Se fundja, 1 markë po regjistrohet… Po nga ana tjetër, konsumatori shumë shpejt do të fillojë të të njohi nga marka, kështu që teksa krijon besim nëpërmjet produkteve, regjistrohu te Legit dhe gjej një përfaqësues të autorizuar të pronësisë intelektuale, për ta lehtësuar këtë proces dhe barrën e pritjes.

 

Sipërmarrje të mbarë! 

 

 

, , ,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *